Në Lidhjen Demokratike të Kosovës besojnë se do t’i ruajnë votat e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. Pritjet në partinë e Isa Mustafës janë për një rezultat fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në fillim të vitit 2021.
Këtë e bazojnë në “qeverisjen e mirë të kryeministrit Avdullah Hoti”, por të cilin nuk garantojnë se do ta kenë mandatar sërish për të parin e ekzekutivit.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi në një prononcim për KosovaPress i quan të rrejshme dhe fabrikime gjitha sondazhet dhe deklaratat se partia që përfaqëson do të jetë nën 20 për qind në zgjedhje.
“Pritjet tona janë shumë pozitive, besoj që do t’i ruajmë, ndoshta t’i rrisim votat që i kemi pas. Ato çka i dëgjojmë janë fabrikime, lajme të rrejshme, ato që i kemi pa se disa vite fatkeqësisht ku parti politike ose individ, ose disa të veshur edhe në petkun e analistit shpërndajnë lajme të rrejshme…synojmë më i fitua me ekipin dhe njerëzit ma të mirë të vendit”, thotë ai.
Abrashi, i cili është edhe ministër i Infrastrukturës thotë se ende nuk kanë diskutuar se kush do të udhëheqë listën zgjedhore të partisë. Derisa edhe thur lavde për qeverisjen e kryeministrit Hoti.
“Nuk e kemi diskutu, kryeministri Hoti po bënë një punë të mirë e ka marrë qeverisjen në një kohë të vështirë. Shpesh herë u akuzu formën si e ka marrë qeverisjen, por ka qenë një vendim i Gjykatës Kushtetuese ashtu si na tregojë tani kushtetuesja, por punën e ka bërë shumë të mirë”, thotë Abrashi.
E për vendosjen e kandidatit për kryeministër, Abrashi thotë se do të vendosin pas mbledhjes së kryesisë që pritet të mbahet në ditët në vijim.
“Ne do të ftojmë një mbledhje të kryesisë ditëve në vijim, aty do të dëgjojmë edhe anëtarë të kryesisë dhe orientimet e kryetarit dhe këto me kryetar të degëve. Pas asaj i shpalosim të gjitha”, u shpreh ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme pritet të mbahen në fund të janarit, ose fillim të shkurtit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë e qeverisë Hoti.