-2.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Zyrtare: Gjykata Kushtetuese rrëzon Qeverinë Hoti, vendi shkon në zgjedhke

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që vendi të shkojë në zgjedhje. Vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e pavlefshme dhe kësisoj edhe Qeveria Hoti nuk është më legjitime.

Ky është vendimi i plotë:

Prishtinë, më 21 dhjetor 2020

Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 21 dhjetor 2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën: 1. KO 95/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e shkurtër të vendimit (teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1.            Lënda: KO 95/20

Parashtrues: Liburn Aliu dhe 16 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së

Kosovës

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020, për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilin pala parashtruese pretendonte se nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3, të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa bazohej në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 42 [Saktësimi i kërkesës] dhe 43 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 74 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

PËRFUNDIME

1.            Me datat 28 mars dhe 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte dënuar me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, me një vit e tre muaj burgim. Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 27 nëntor 2019, KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Etem Arifi. Më 26 dhjetor 2o19, u mbajt mbledhja konstituive e Kuvendit ku u konfirmua mandati i Etem Arifit. Që nga ajo kohë, Etem Arifi vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë, për një vepër penale, me një vit e tre muaj burgim.

2.            Në këtë kërkesë kushtetuese, 17 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, për zgjedhjen e Qeverisë, të nxjerrë më 3 qershor 2020. Parashtruesit pretendojnë se Vendimi në fjalë është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3 të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës. Kjo sepse, sipas parashtruesve, në procedurën e votimit të Vendimit të kontestuar ka marrë pjesë edhe Etem Arifi, vota e të cilit ishte e pavlefshme për shkak të dënimit të tij me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë.

3.            Gjykata vlerëson se, çështja themelore që ngërthen kjo kërkesë është se a kishte pasur mandat të vlefshëm Etem Arifi në kohën e nxjerrjes në Kuvend të Vendimit të kontestuar për zgjedhjen e Qeverisë (në votimin e të cilit ai kishte marrë pjesë).

4.            Në lidhje me këtë çështje, Gjykata mori parasysh: përgjigjet e dorëzuara nga shtetet anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, qëndrimet e Komisionit të Venecias; si dhe praktikën e mëhershme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për situata të ngjashme.

5.            Për sa i përket dispozitave kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, që i japin përgjigje çështjeve të ngritura nga kjo kërkesë, Gjykata gjeti se:

–              Neni 71.1 i Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit;

–              neni 70.3 (6) i Kushtetutës përcakton se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vite burgim. Ky përcaktim kushtetues përforcohet edhe me nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, nenin 112.1.a të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 25.1.d të Rregullores së Kuvendit;

6.            Gjykata konsideron se, për sa i përket të drejtës për kandidim në zgjedhje parlamentare, nenet 45, 55 dhe 71.1 të Kushtetutës duhet lexuar në mënyrë të ndërlidhur. Kështu, neni 45 i Kushtetutës flet përgjithësisht për të drejtat zgjedhore, duke përcaktuar në mënyrë të përgjithësuar se ato mund të kufizohen me vendime gjyqësore, kurse neni 55 përcakton kushtet kumulative në bazë të të cilave mund të kufizohen të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutë. Ndërsa neni 71 i Kushtetutës – i cili flet ekskluzivisht për “kualifikimet” për të kandiduar për deputet të Kuvendit – përcakton se secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë vjeç ose më i madh dhe përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet.  Këto “kriteret ligjore”, të cilave iu referohet neni 71 i Kushtetutës, i përcakton Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili në nenin 29.1 (q) thekson qartë dhe shprehimisht se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhje për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit. Ky përcaktim kushtetues dhe ligjor është në linjë edhe me praktikën që ndiqet nga shumë vende demokratike, siç vërehet edhe nga dokumentet përkatëse të Komisionit të Venecias, si dhe nga përgjigjet e vendeve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias.

7.            Gjykata thekson se normat e mësipërme kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë të bëjnë me pamundësinë (papërshtatshmërinë) për t’u kandiduar për deputet në zgjedhjet e përgjithshme, si dhe me mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, si pasojë e dënimit me burgim për kryerjen e veprave penale, nuk duhen parë si qëllim në vetvete. Në thelb, këto norma nuk kanë synim parësor ndëshkimin e individëve të caktuar duke ua pamundësuar atyre ushtrimin e funksionit të deputetit, por kanë si qëllim themelor mbrojtjen e integritetit kushtetues dhe besueshmërisë qytetare në organin ligjdhënës, si shtyllë e demokracisë parlamentare.

8.            Gjykata konsideron se besueshmëria qytetare në Kuvendin e Republikës së Kosovës cenohet nëse – pavarësisht ndalesave që vë neni 71 i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – lejohet që mandatin e deputetit ta fitoj dhe ta ushtroj një person që është dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë të vlefshëm në Republikën e Kosovës.

9.            Në lidhje me këtë, Gjykata sjellë në vëmendje Raportin e Komisionit të Venecias, i cili thekson se “ligjshmëria është element i Sundimit të Ligjit dhe nënkupton që ligji duhet të respektohet nga individët dhe autoritetet. Ushtrimi i funksionit politik nga personat të cilët kanë shkelur ligjin në mënyrë serioze vendos në rrezik zbatimin  e këtij parimit

[sundimit të ligjit]

, që është njëri nga parakushtet e demokracisë, dhe për këtë arsye rrezikon natyrën demokratike të shtetit”. (Shih Raportin e Komisionit të Venecias për Përjashtimin e Kryerësve të Veprave të Paligjshme nga Parlamenti, CDL-EL(2015)026, i 23 nëntorit 2018, paragrafi 168).

10.          Në këtë frymë, Gjykata vlerëson se është kërkesë e qartë kushtetuese e mishëruar në nenin 71.1 në ndërlidhje me nenin 70.3 (6) të Kushtetutës, se është e papajtueshme me Kushtetutën që një person ta fitoj dhe mbaj mandatin e deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë, siç është përcaktuar me këto dispozita. Kjo kërkesë përforcohet me nenet 29 dhe 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë Deputetit.

11.          Më tutje, Gjykata thekson se fakti që neni 70.3 (6) i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe neni 112.1 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i referohen dënimit të deputetit (pra dënimit pasi ai ta ketë fituar mandatin), është reflektim i prezumimit se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit.

12.          Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitoj dhe mbaj mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës.

13.          Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se sipas Aktgjykimit AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme, “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që don të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur”.

14.          Megjithatë, Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’iu shqiptohet medoemos si dënim plotësues “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare. Kjo meqë, sipas nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër të tjera, parashihen edhe këto dy baza: (i) heqja e të drejtës për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të PZAP-it dhe gjykatës; si dhe (ii) pamundësia për të qenë kandidat për shkak të shpalljes fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Këto janë baza të ndryshme/të ndara që shkaktojnë pamundësinë/papërshtatshmërinë për të qenë kandidat. Gjykata është e mendimit se ky interpretim përputhet edhe me leximin e ndërlidhur të neneve 45, 55 dhe 71 të Kushtetutës.

15.          Gjykata konsideron të rëndësishme të vë në dukje se kandidimi në zgjedhje parlamentare i Etem Arifit, zgjedhja e tij si deputet dhe ushtrimi i mandatit të deputetit – të gjitha këto pasi që ai ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë – shpërfaqë ekzistimin e paqartësisë normative dhe të metave serioze në mekanizmat institucional të Republikës së Kosovës, që janë kompetent për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin kushtetues të proceseve zgjedhore dhe veprimtarisë parlamentare.  Kjo paqartësi është e dukshme edhe në përgjigjet që janë dhënë nga trupat përkatës të Kuvendit dhe nga KQZ-ja.

16.          Në lidhje me këtë, Gjykata potencon nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndër-institucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.

17.          Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjedhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksion e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit.

18.          Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë, Gjykata thekson se në mënyrë që Qeveria të zgjedhet, konform paragrafit 3 të nenit 95 të Kushtetutës, “për” Qeverinë duhet të votojnë të paktën gjashtëdhjetë e një (61) deputetë të Kuvendit. Në rastin konkret, sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit, Gjykata vëren se më 3 qershor 2020,  gjashtëdhjetë e një (61) deputetë kishin votuar “për” Qeverinë, gjegjësisht për vendimin e kontestuar. Për miratimin e Vendimit të kontestuar kishte votuar edhe Etem Arifi. Pasi Gjykata gjeti se mandati i Etem Arifit kishte qenë i pavlefshëm para votimit të Vendimit të kontestuar, ai Vendim kishte marrë vetëm gjashtëdhjetë (60) vota të vlefshme. Për pasojë, procedura për të zgjedhur Qeverinë nuk është zhvilluar në përputhje me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

19.          Gjykata vë në pah se neni 95 i Kushtetutës, siç është interpretuar përmes praktikës së saj gjyqësore, parasheh dy tentativa për zgjedhur Qeverinë nga Kuvendi. Në të dyja rastet, Qeveria për t’u konsideruar e zgjedhur duhet të këtë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht gjashtëdhjetë e një (61) vota. Nëse as pas tentimit të dytë nuk zgjedhet Qeveria, neni 95.4 i Kushtetutës parasheh shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës.

20.          Gjykata rikujton që Qeveria e votuar përmes Vendimit nr. 07/V-014 të Kuvendit të 3 qershorit 2020 është bazuar në Dekretin e Presidentit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të nxjerrë bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, përkatësisht në tentativën e dytë për zgjedhjen e Qeverisë. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton interpretimin e dhënë në Aktgjykimin KO72/20 ku kishte theksuar se “zgjedhjet do të jenë të pa evitueshme në rast të dështimit të zgjedhjes së Qeverisë edhe në tentativën e dytë, […] me ç’rast, bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, Presidenti shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

21.          Në dritën e kësaj, Gjykata thekson se në rastin konkret vihet në lëvizje paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

22.          Gjykata e konsideron të rëndësishme të theksoj se është e vetëdijshme se Etem Arifi ka marrë pjesë edhe në procedura të tjera votuese në Kuvend, edhe pasi ai nuk kishte mandat të vlefshëm. Megjithatë, duke u mbështetur në parimin non ultra petita (“jo përtej kërkesës”), Gjykata kufizohet në vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar më kërkesën e paraqitur para saj, gjegjësisht Vendimit nr. 07/V-014, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkitazi me Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Republikës së Kosovës.

23.          Gjykata e sheh të nevojshme që të sqarojë po ashtu se, duke u nisur nga parimi i sigurisë juridike, si dhe nga fakti se ky Aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113, paragrafi 5, të Kushtetutës, neneve 42 dhe 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në mbështetje të rregullave 59 (1) dhe 72 të Rregullores së punës, njëzëri

VENDOS

I.             TË SHPALLË kërkesën të pranueshme;

II.            TË KONSTATOJË se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës;

III.           TË KONSTATOJË se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;

IV.          TË KONSTATOJË se, marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre;

V.            TË KONSTATOJË se, ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re;

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img