Sot diskutohen masat e reja, a do të ketë lehtësime pas ardhjes së mërgimtarëve

72
Advertisement

Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje mund të ndikojë që masat anti-Covid të zbuten. Kjo për shkak të ndikimit pozitiv që mund të ketë në ekonominë e vendit. Zgjatja e orarit të punës për operatorët ekonomikë do të propozohet sot në mbledhjen e ministrave.

Advertisement

Është bërë më shumë se një muaj prej kur në Kosovë janë masat e reja anti-Covid. Sipas këtyre masave, operatorëve ekonomikë iu ndalohet puna pas orës 19:00 në komunat që janë në zonë të kuqe, pas orës 18:00 në zonën e verdhë dhe pas orës 20:00 në zonën e gjelbër.

Por, këto masa po kërkohet të ndryshohen. Kjo për shkak të festave të fundvitit dhe ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje.

Të njëjtat do të diskutohen sot në takimin që do të ketë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj me Kryeministrin Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri, kreun e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadanin, e ministrat tjerë të kabinetit qeveritar.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka deklaruar për Gazetën Express se në takimin e sotëm mund të merren vendimet për masat e reja, e që sipas tij do të publikohen gjatë ditës së martë.

“Sot kemi një takim ndërministror dhe do të përcaktohemi për masat e reja dhe nesër do të dalim me vendim të Qeverisë për masat e reja. Kam qenë ithtar nga fillimi që masat strikte të zbatohen nga çdo qytetar dhe çdo biznes, udhëzimet që janë nxjerrë nga IKSHPK. Por në asnjë mënyrë të bëhet izolimi i ekonomisë së vendit”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi tha se ai do të kërkojë që orari i lëvizjes së lirë të zgjatet, e po ashtu edhe orari i punës së operatorëve ekonomikë të zgjatet të paktën deri në orën 21:00.

“Unë do të kërkoj që të kemi një zgjatje të orarit, sidomos së lëvizjes së lirë, për faktin që kemi edhe mërgimtarët, dhe gjithsesi kam kërkuar që për shkak të festave të fundvitit. Por të ketë reduktim të numrit të qytetarëve nëpër lokale. Në qendra tregtare dhe markete të mëdha të kemi masa strikte sepse aty është frekuentimi më i madh i njerëzve. Përndryshe do të kërkoj që bizneseve të iu zgjatet orari, por masat strikte të zbatohen në të gjitha bizneset. Do të propozoj që orari të zgjatet së paku deri në orën 21:00”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar për Express se deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim se cilat do të jenë masat e reja anti-Covid.

“Qëndrimi i vetëm që jemi dakorduar deri më tani është se mbyllja nuk është opsion. Për pikat tjera ka pasur diskutime por ende nuk ka pajtueshmëri. Normalisht ka një frikë edhe nga rritja e rasteve”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi deklaroi se kërkesa e OAK është që të zgjatet orari i punës për bizneset dhe të mos ketë kufizim të lirisë së lëvizjes për qytetarët.

“Kërkesa jonë mbetet që të kemi një orar që e shpërndan masën me kohë, pasi me këtë orar të kufizuar po krijohet tollovi më e madhe. Po ashtu, kërkesë tjetër është që ora policore të hiqet. Masat që i kemi kërkuar vlejnë për të gjitha komunat, pa ndarje në zona”, ka thënë Rukiqi.

“Po ashtu të largohen masat e panevojshme që janë tani, si shërbimet me dërgesë (delivery) dhe ato merr me vete (take away)”, ka thënë Rukiqi.

Ndërkaq kryeministri Avdullah Hoti, sot gjatë ditës ka deklaruar se gjatë këesaj periudhe kohore duhet të ketë kujdes të shtuar dhe mbikëqyrje të respektimit të masave anti-Covid.

Ai tha se me masat që do të merren, do te ketë kujdes që të krijohen kushte të volitshme për bizneset dhe për lëvizjen e qytetarëve, por në të njëjtën kohë të mbahet nën kontroll situata me koronavirus.

“Raportet deri më tash janë vërtet pozitive, masat e ndërmarra më herët kanë ndikuar dhe numri ka rënë nën 200, nga 700 raste sa kemi pasur brenda 24 orëve. Në bazë të informacioneve që kemi pasur nga Institutit Kombëtarë bëhet e ditur se ne jemi në mesin tri katër vendeve që më së miri e kemi menaxhuar situatën me COVID-19, dhe duhet të sigurohemi se tani kur kemi fluks të madh të qytetarëve për festa tu krijojmë atyre kushtet që të kënaqen me familjet e tyre dhe të marrim masa për ti mbrojtur qytetarët e bashkatdhetarët”, deklaroi Hoti.

PostAdssFotoja e reklamës