2.3 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Dënohet me burg dhe gjobë inspektori i ndërtimit i cili pranoi se kishte marrë 12 mijë euro ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një vit burgim dhe me 3,000 euro gjobë, inspektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës Gafurr Rexha, pasi i njëjti në seancën fillestare e kishte pranuar fajësinë.

Rexha akuzohej se kishte pranuar 12,000 euro ryshfet nga pronari i firmës ndërtimore “Berisha Group”, Naim Berisha, për lëshimin e lejes për vazhdimin e punimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Isuf Makolli, në dënimin e shqiptuar të akuzuarit Rexha i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 29 shtatori 2020, ndërsa kjo masë të njëjtit i është ndërprerë pas shpalljes së aktgjykimit.

Në seancën e së enjtes, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Arian Gashi, i akuzuari Rexha është deklaruar fajtor për marrje ryshfeti.

“E pranoj veprën dhe njëkohësisht ndihem keq dhe kërkoj falje për rastin, kërkoj falje për këtë rast sepse asnjëherë nuk kam pasur raste të tilla si person zyrtar që kam qenë”, ka deklaruar i akuzuari.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Rexha është pajtuar edhe mbrojtësi i tij, avokati Skënder Musa, i cili ka kërkuar nga gjykata që ta pranojë të njëjtin, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim i kushtëzuar.

“Duke pasur parasysh faktin se i mbrojturi im gjatë dhënies së dëshmisë në prokurori ka shprehur vullnetin ta pranojë fajësinë dhe gjithashtu të lidhim marrëveshje për pranim të fajësisë, konsiderojmë se janë krijuar kushte dhe rrethana lehtësuese si dhe faktin se asnjëherë më parë nuk ka qenë i dënuar për vepra të tilla, por përkundrazi ka qenë njeri prej inspektorët më të angazhuar dhe më të përpiktë në Komunën e Prishtinës, andaj e lusim gjykatën që t’i shqiptojë një dënim të kushtëzuar, sa më të ulët të mundshëm në mënyrë që pasojat të jenë më të pakta për të mbrojturin tim”, ka qenë kërkesa e avokatit Musa drejtuar gjykatës.

Ai po ashtu, kishte kërkuar edhe ndërprerjen e masës së paraburgimit, pasi sipas tij, me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Rexha kishin pushuar shkaqet më të cilat është caktuar dhe vazhdimi i paraburgimit.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Rexha është pajtuar edhe prokurori Arian Gashi i cili nuk e ka kundërshtuar as ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 29 tetor 2020, i akuzuari Gafurr Rexha me 29 shtator 2020, në cilësinë e personit zyrtar inspektor i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet 12,000.00 euro nga i dëmtuari Naim Berisha, pronar i firmës ndërtimore “Berisha Group”.

Në aktakuzë thuhet se pasi paraprakisht i kishin ndaluar punimet të dëmtuarit Berisha në objektin me leje ndërtimit që ishte në ndërtim e sipër tek lagja e spitalit në rrugë “Holger Petersen”, kishte shkuar tek i njëjti dhe në emër të lëshimit të lejes për vazhdimin e punimeve i kishte kërkuar shumën e të hollave prej 12,000.00 euro.

Pas kësaj, i dëmtuari Berisha rastin e kishte paraqitur në polici dhe gjatë zbatimit të masave të fshehta, pasi i akuzuari Rexha ishte takuar me të dëmtuarin Berisha në kafiterinë “Liburnia”, në lagjen Tophane në Prishtinë,  kishte pranuar këtë shumë të të hollave të cilat zyrtarët policor menjëherë e kishin arrestuar.

Për këto veprime, Rexha ngarkohej me veprën penale “marrje e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./betimiperdrejtesi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img