Sipas të dhënave nga qendrat e numërimit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, po prin në zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe është drejt fitores në rundin e parë.
Siç mëson Express, sipas ritmit të votave të numëruara deri tash në Podujevë, Bulliqi do të fitojë me mbi 50 për qind.
Kësisoj, komuna e Podujevës nuk do të shkoj fare në balotazh.
19:49 – Të dhënat e para nga terreni, prin kandidati i VV’së
Nga të dhënat e votave të para të numruara, në Podujevë po udhëheq Shpejtim Bulliqi. Mbetet të shihet nëse do të kalojë në balotazh.
Në numërimi i deritanishëm i votave në Podujevë, po prin kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.
Nëse vazhdon ky rezultat, atëherë LDK’ja për herë të parë në 20 vjet nuk fiton në komunën, që konsiderohet bastion i saj.
Disa prej zyrtarëve të lartë të LVV’së tashmë e kanë shpallur fitoren në Podujevë.
Kandidati i LDK’së, Nexhmi Rudari, ka thënë se është akoma herët të flitet për rezultatet.
Ndërkaq, kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se brenda dy orësh do të dihet rezultati preliminar.
Sipas të dhënave të KQZ’së, në Podujevë kanë dalë në zgjedhje 40.51 për qind e votuesve.
Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu, la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti. Në garën për kryetar të Podujevës kanë qenë Shpejtim Bulliqi i LVV’së, Nexhmi Rudari i LDK’së dhe Naim Fetahu i PDK’së.
Kushdo që sot fiton zgjedhjet në Podujevë, do ta udhëheqë komunën vetëm për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjet komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021.