Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, realizoi sot vizitë njëditore zyrtare në Kroaci, ku bashkë me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Tahiri u pritën nga kryeministri Andrej Plenkoviq dhe ministri i Jashtëm, Goran Grliq-Radman.
Haradinaj-Stublla me këtë rast zyrtarëve të lartë të shtetit kroat u përcolli mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj për mbështetjen e përhershme të Kroacisë në të gjitha proceset që ka kaluar vendi ynë.
“Kroacia e njeh më së miri dhimbjen e së kaluarës sonë të përbashkët, dhe vështirësitë e rrugëtimit euro-atlantik me të cilat po përballet edhe Kosova viteve të fundit,” tha ajo,
Kryediplomatët e Kosovës dhe Kroacisë, u pajtuan të finalizojnë në afat sa më të shkurtër kohor marrëveshjen e partneritetit strategjik për fuqizim të bashkëpunimit dypalësh në politikën e jashtme, sigurisë, ekonomisë dhe bashkëpunimit rajonal.
Po ashtu, u shkëmbyen pikëpamje rreth dialogut me Serbinë, dhe pritjet nga roli i BE-së dhe SHBA-së në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
Ministrja Haradinaj-Stublla kërkoi nga Kroacia si shtet anëtar i BE-së që t’i ndihmojë BE-së në definimin e saktë të elementeve themelore të dialogut, si: vendosja e parimeve të respektimit të integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterit unitar; përcaktimi i kornizës kohore për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë; dhe definimi i objektivit final të procesit të dialogut, e që për Kosovën synimi është asgjë më pak se njohje reciproke.
Nga ana e tij, ministri Grliq-Radman shfaqi shpresën se BE do të merr së shpejti vendim për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe u zotua se Kroacia do të mbështesë fuqimisht orientimin euro-atlantik të Kosovës dhe pjesëmarrjen e vendit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Haradinaj-Stublla dhe Grliq-Radman, u zotuan edhe për avancimin e pozitës së komunitetit kroat në Kosovë dhe atij shqiptar në Kroaci.
Kryediplomatja kosovare përkujtoi edhe viktimat kroate nga luftërat tragjike në ish-Jugosllavi dhe plagën e personave ende të pagjetur që rëndon ashtu si Kosovën, edhe popullin kroat, e duke përcjellë gjithashtu edhe ndjenjat e popullit të Kosovës, sa herë që përkujtohen data të rëndësishme dhimbjeje, siç ishte përvjetori i para disa ditëve i masakrës së Vukovarit.