Pas rritjes rekorde të rasteve me coronavirus, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj nesër do të mbajë takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ai ka thënë se me ministrin Zemaj do të diskutohet për situatën e tanishme pandemike dhe masat e reja që do të merren në kuadër të rekomandimeve anti-covid.
Ndërkaq, takimi virtual do të nis në ora 11:00.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar 11 viktima dhe 730 raste të reja me coronavirus, pas marrjes së 1,794 mostrave.
Prej tyre 755 pacientë kanë vdekur.
Me miratim të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që nga ora 20:00 e së premtes deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së coronavirusit.
Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.