Një person ka sulmuar sonte me thikë qytetarët dhe policët në qendër të qytetit të Gjakovës, e i cili më pas është arrestuar nga Policia e Kosovës.
KosovaPress ka siguruar një video të personit teksa sulmonte qytetarët në Gjakovë, e aty shihen edhe policët.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës Nysret Gjurkaj, i cili tha se aktualisht personi është në stacionin policor.
“Policia ka marrë informatë nga qytetarët për një person me një shkop dhe thikë, i është përgjigjur vendit të ngjarjes, kanë arrestuar qytetarin dhe i njëjti është në stacionin policor”, tha ai.
Ai tha se nuk ka informata për të lënduar dhe po ashtu nuk dihen shkaqet e këtij incidenti.