Shuarja e Task-forcës kundër korrupsionit nga Qeveria Hoti, vazhdon të kritikohet si nga spektri politik vendor, ashtu edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar. Ambasadori i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnet e ka quajtur te gabuar vendimin e shuarjes se task-forcës, e po të njëjtin mendim e shprehin edhe njohësit e çështjeve juridike.
Shuarja e task-forcës kundër korrupsioni nga ana e qeverisë, po kritikohet ashpër nga shoqëria civile.
Këshilltari ligjor, Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional thotë se shuarja e task-forcës është ndër gabimet më të mëdha qa ka mundur të bëj kjo qeveri.
“Shuarja e kësaj Task-force i ka dy indikacione tepër të rëndësishme që e dëmtojnë tepër Kosovën. E para në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit. Së pari ne ende nuk kemi ndonjë rast për “peshqit e mëdhenj” të cilit i është iniciuar proces gjyqësorë. Ndërsa në aspektin politik kjo është njëra ndër arsyet pse ne sot nuk kemi liberalizim të vizave”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Anton Nrecaj.
Ndërsa avokati Artan Qerkini thotë se përveç që është e dëmshme shuarja e task-forcës, Kosova me këtë veprim nuk po tregon as respekt ndaj investimeve të shteteve mike.
“Me sa e di unë shtetet e BE-së dhe SHBA-të kanë investuar mjaft shumë në këtë Task-forcë duke i dërguar pjesëtarët e saj në trajnime të ndryshme, ku ata janë specializuar për hetimin e veprave penale korruptive. Kjo i bie se tashmë ky investim i shteteve mike ka rënë në ujë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Artan Qerkini.
Pas deklaratave të djeshme të ambasadorit Philip Kosnett, i cili tha se shuarja e task-forcës ishte vendim i gabuar, ka folur edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili insiston se puna e kësaj trupe do të vazhdojë e paprekur përfshirë hetimet që i kanë pasur në proces./RTV Dukagjini/