Në këtë film luajnë aktorët Dibran Tahiri, Burhan Amiti, Qëndresa Loki, Elmir Sejfullai, Besfort Idrizi dhe Agan Abdulla, shkruan KultPlus
Filmi i metrazhit të shkurtër “Bisedë për jetën” do të shfaqet premierë më 4 nëntor, kanë bërë të ditur protagonistët e këtij projekti filmik. Sipas njoftimit filmi do të shfaqet në mjediset e Kinotekës në Shkup prej orës 20:00.
“Bisedë për jetën” është një dramë psikologjike me skenar të Agim Morinës dhe me regji të Agim Abdullah, ndërsa producent është Bunjamin Kurtishi. Ngjarja e këtij filmi zhvillohet në ditët e sotme, por kthehet edhe në kohë, në viti 1976. Filmi është xhiruar në tre lokacione, në Tetovë, në Shkup dhe në Kërçovë.
“Bisedë për jetën” prezanton jetën e një poeti kinse të njohur shqiptar, i cili si pasojë e një ngjarje dashurie të dështuar në rini, në moshë të shtyrë heq dorë nga gjithçka dhe vjen deri në prag të vetëvrasjes. Ky është Vullneti, gjyshi i cili rrezikon të humbë jetën nga dashuria e dështuar. Vajza e cila e kishte sjellë në këtë gjendje ishte Anita, ajo vinte nga Kërçova por që kishte studiuar në Spanjë dhe kjo ndodhë në vitin 1976. Nipi i Vullnetit, si një djalë i mençur, kur shkon në fshat e gjen gjyshin në një situatë shumë të rëndë dhe duke dashur të gjejë një zgjidhje ai bënë gjithçka që ta shpëtojë gjyshin dhe ta rikthejë në jetë, është boshti i rrëfimit të këtij filmi.
Këto personazhe vijnë nën interpretimin e aktorit Dibran Tahiri, i cili luan Vullnetin plak, ndërsa aktori Burhan Amiti interpreton Vullnetin në rininë e tij. Në film luajnë edhe Qëndresa Loki, Elmir Sejfullai, Besfort Idrizi dhe Agan Abdulla.
“Bisedë për jetën” është realizuar nga produksioni Galaktika Pictures dhe me mbështetje të Agjencisë për film të Republikës së Maqedonisë.