Mbi 2 milionë euro të Thesarit të Shtetit, janë zhdukur gjatë këtij muaji. Për këtë rast, deri tash është arrestuar një person, i cili ka punuar qe 11 vite në Thesar, derisa dy të dyshuar të tjerë, janë në arrati. Dyshohet se një pjesë e këtyre parave janë transferuar jashtë vendit, por që tashmë llogaritë bankare të tyre janë bllokuar, raporton Express.
Përmes katër transaksioneve të ndryshme, 2 milionë e 77 mijë e 995 euro të shtetit të Kosovës janë transferuar më 9 tetor në kompaninë “LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik të Drenasit.
Transferimin e gjithë këtyre parave në konton e kësaj kompanie, dyshohet se e mundësoi një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, i cili është arrestuar mbrëmjen e 20 tetorit.
Sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), është pronë e Valon Shalës, i cili sipas raportimit të REL është në arrati. Bashkë me të është raportuar se në arrati është edhe K.Sh., që po ashtu lidhet me këtë kompani.
“LDA Group” është regjistruar si biznes para një viti, më saktësisht më 21 gusht të vitit 2019.
Si aktivitet primar, kjo kompani ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa merret edhe me demolimin e objekteve, përgatitje të vendpunishtes e instalime elektrike.
Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia e Kosovës. Sipas Policisë, të dyshuarit duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milionë euro.
Policia ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, por që nuk kanë gjetur asgjë. Ndërkohë, është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.
“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro.
Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Për këtë rast, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka mbajtur dje konferencë për media.
“Sot s’është lajmi i mirë, e keni parë në gazetë. Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta, që kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit që është në kuadër të MF-së. 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami në konferencë për media.
Bajrami ka thënë se me të kuptuar rastin, e kanë raportuar atë dhe se tashmë është duke u zhvilluar një hetim i gjithanshëm.
“Me të kuptuar kemi raportuar rastin dhe krimet ekonomike po merren me hetim të brendshëm”, ka thënë Bajrami.
Ministrja ka thënë se tashëm po interesohen të gjejnë se kush është përfituesi përfundimtar i të hollave.
“Deri më tani janë suspenduar 2 zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tanimë kemi gjurmuar, ky është transaksion bankar. Institucionet e rendit janë duke u marrë, duke parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, “institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”.
Ajo në fund ka thënë se institucionet e kanë gjurmuar rastin.
“Është rast i izoluar. Gjithçka po gjurmohet sepse është transaksion bankar”, ka thënë në fund.
E para e financave ka treguar se transaksioni i këtyre mjeteve është kryer më 9 tetor, derisa hetimet për këtë rast kanë filluar tek dje.
“Tani me datën 9 tetor kanë ndodh transaksionet dhe mjetet nga buxheti në Ministrinë tjetër (Ministrinë e Infrastrukturës) janë terhekë dhe janë bërë pagesat në emër të këtij operatori ekonomik. Më pas kemi ardhë deri te denoncimi i rastit. Krejt procedura e hetimit ka fillu dje”, ka deklaruar Bajrami para gazetarëve.
Bajrami nuk ka pranuar të japë emrin e operatorit ekonomik, në emër të të cilit janë bërë pagesat, meqenëse siç, ka thënë, mund të dëmtohet procesi i hetimeve për këtë rast.
“Unë besoj që në një të ardhme të afër do të jemi në gjendje të japim raporte të detajuara. Kemi kërkesë nga prokurorja e rastit që të mos japim informata sepse mund të dëmtohet procesi i hetimeve”, ka deklaruar ajo.
Pas avullimit të dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Bajramit.
Por, përveç që tha se nuk do të japë dorëheqje, Bajrami ia përmendi PDK’së rastin e vjedhjes së Dhomës së Përgjimeve, e ku pas kësaj askush nuk ka dhënë dorëheqje edhe pse PDK’ja ishte në qeverisje.
“Jo absolutisht bazuar në kërkesen e PDK’së nuk do të japë dorëheqje. Më e lehta do të ishte të japë dorëheqje dhe të marrë përgjegjësi që nuk më takon. Nuk lejoj që ata që kanë kryer krim të organizuar të lëvizin të lirë për shkak se ministrja ka dhënë dorëheqje. Sa i përket PDK’së, në kohën e tyre është vjedhur Dhoma e Dëshmive dhe askush s’ka dhënë përgjegjësi”, ka thënë Bajrami.
Ajo gjithashtu tregoi se në cilin rast do të jepte dorëheqje.
“Vetëm nëse në një hallkë është përgjegjësia ime, unë do të jepja dorëheqje”, ka thënë Bajrami.
Krejt në fund, Bajrami premtoi në zbardhjen e plotë të rastit për shkak se, sipas saj, gjurmët nuk mund të zhduken.
“I gjithë transaksioni i dyshimtë është gjurmuar. Nuk ka mundësi të zhduken gjurmët. Të gjitha llogaritë e përfitueseve janë të regjistruara. Ky krim nuk është vetëm kibernetik, por edhe krim i organizuar mirë ekonomik”, shtoi Bajrami.
As në këtë rast nuk ka munguar reagimi i Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, i cili i ka dal në mbrojtje Bajramit.
Mustafa tha se e përkrah plotësisht ministren Bajrami në betejën e saj kundër kriminelëve që vodhën mbi dy milionë euro, derisa e thumboi edhe PDK’në duke thënë se ministrja nuk është aty për t’u dorëzuar, por për t’i kapur hajnat.
“Shoh se dikush ka dëshirë dhe bën thirrje që ajo të japë dorëheqje. Por ata duhet ta kuptojnë se ministrja Bajrami nuk është aty për tu dorëzuar para hajdutëve duke krijuar boshllëk për fshehjen e gjurmëve të vjedhjes së parasë publike, por për tu ballafaquar me krimin dhe me hajdutët, ashtu siç po vepron me të drejtë ajo”, ka shkruar Mustafa.