Pas Rashit Qalajt, priten shkarkime të tjera në Policinë e Kosovës

51
Advertisement

Rashit Qalaj është bërë drejtor në gushtin e 2018-s, në një garë të ngushtë me tashmë personin që do ta zëvendësojë.

Advertisement

Samedin Mehmetaj edhe atëkohë konsiderohej si një nga figurat që mund ta merrte nën menaxhim Policinë e Kosovës.

Qalaj ka qenë jashtë Kosovës kur është njoftuar për shkarkimin, raporton KOHA.

“Jam jashtë Kosovës. Nuk i di arsyet, por tashmë është e konfirmuar që jam shkarkuar. Nuk e kam parë vendimin”, ka thënë ai të premten.

Qeveria Hoti është votuar qe katër muaj.

Nga marsi, Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar me më shumë se 90 për qind të kapaciteteve rreth situatës epidemiologjike. Siç ka raportuar KOHA, hetues të krimeve ekonomike e të departamenteve të tjera ka pasur vetëm kujdestarë për raste urgjente.

Të dy qeveritë, Hoti e Kurti, patën lavdëruar angazhimin e Policisë së Kosovës.

Pas qershorit, një pjesë e hetuesve policorë janë kthyer në hetime.

Drejtoria e Krimeve Ekonomike, që ndjek vepra penale që lidhen me korrupsionin në koordinim me prokurorët, kanë kryer dy aksione arrestimesh.

Aksioni i Karaçevës, që ka rezultuar me mbi 60 persona të arrestuar, e pati bërë krenar kryeministrin Hoti.

“Operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës. U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të NORMALITETIT në çdo fushë”, pati shkruar Hoti në Facebook.

Aksioni i dytë publik i cili mori vëmendje të madhe të publikut është arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, për dyshimet për përfshirje në vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Pas këtij arrestimi, LDK-ja mblodhi kryesinë ndërsa kryetari Isa Mustafa pati thënë se arrestimi “është politik për ta njollosur Qeverinë Hoti”.

Kjo deklaratë nga pjesëtarë të shoqërisë civile është cilësuar ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Siç kanë thënë burime brenda Policisë së Kosovës, gjatë javës ka pasur presione politike në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike.

Shefi i kësaj drejtorie është Bashkim Spahiu. Ai këtë pozitë e pati marrë menjëherë pasi Qalaj ishte bërë drejtor.

PostAdssFotoja e reklamës