Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se në rast se koaliconi qeverisës nuk arrinë të dakordohet që të votohet për president Ramush Haradinaj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Këtë deklaratë, Lekaj e dha në emisionin “DPT te Fidani”, teksa shtoi se Haradinaj me liderët e vendit duhet ta ketë shtjelluar këtë temë.
“Nëse nuk bëhet ndonjë dakordancë që të votohet Haradinaj për president, vendi duhet të shkojë në zgjedhje pa dakordancë dhe pa kompromis”, tha Lekaj në T7, transmeton Gazeta Express.
Ai tha se i pari i AAK-së ka takime me Thaçin, Veselin e Mustafën dhe në këtë drejtim “shtjellohen të gjitha çështjet për koalicionin dhe pengesat”.
“Aty me siguri është shtjellu edhe çështja e presidentit”, tha ai ndër të tjera.
Ndryshe, i pari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka shprehur ambicie për të parin e shtetit, ndërsa GP i partisë së tij ka deklaruar se nuk e votojnë askënd për tjetër president përveç kryetarit të partisë së tyre. /Gazeta Express/