6.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Borrell: Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, çështje muajsh

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha të martën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ai u shpreh se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.

Këto komente Borrell i bëri pasi ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan në Luksemburg, takim në të cilin, i dërguari i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, raportoi për rrjedhën e këtij procesi dhe vazhdimin e tij.

“Ky është një proces kompleks dhe dialogu nuk është i lehtë. Bisedimet po vazhdojnë, kemi pasur dy takime në nivel të lartë dhe nuk ka qenë gjithmonë lehtë. Të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar këtë dialog të vështirë. Të dy liderët, presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq) dhe kryeministri i Kosovës (Avdullah Hoti), kanë thënë se i japin prioritet të lartë perspektivës evropiane të rajonit. Dialogu është një kusht i domosdoshëm për rrugën e tyre evropiane”, është shprehur Borrell, raporton REL.

Ndonëse tha se BE-ja nuk do të vendosë afate artificiale për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, Borrell tha se një marrëveshje e tillë mund të arrihet shpejt, nëse palët angazhohen.

“Unë personalisht besoj se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çështje muajsh e jo vitesh, me kusht që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive. Ne nuk e shkruajmë paraprakisht se cila është zgjidhja. As nuk do të caktojmë afate artificiale për të përshpejtuar procesin. Ne mirëpresim të gjitha nismat në mbështetje të dialogut. Mirëpresim edhe angazhimin e SHBA-së, por është BE-ja ajo që e udhëheqë këtë proces”, tha Borrell, duke përkujtuar se kusht është edhe forcimi i fqinjësisë së mirë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se përmbyllja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të konsiderohej sukses edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mbetemi të përkushtuar që ta sjellim dialogun në një përmbyllje të suksesshme. Suksesi është kyç jo vetëm për Prishtinë dhe Beogradin, por për rajonin në tërësi. Në takim është shprehur një mbështetje e fuqishme për punën që po bën Mirosllav Lajçak”, tha Borrell.

Ai u ka bërë ftesë liderëve që të punojnë së bashku në ndërtimin e mirëbesimit dhe pajtimit. Po ashtu, ka përsëritur qëndrimin se perspektiva evropiane është për të gjithë dhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë kjo shkon edhe përmes dialogut.

Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak deklaroi të hënën se është mirënjohës për interesimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe mbështetjen e fuqishme për dialogun Kosovë-Serbi.

“Diskutimi i sotëm konfirmoi se dialogu është qartazi i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në një postim në Twitter.

Lajçak të martën pritet të qëndrojë në Prishtinë dhe pastaj pritet të vizitojë edhe Beogradin për, siç u tha në Bruksel, “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Pala kosovare ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e këtij Asociacioni, por Serbia insiston që të bisedohet për të.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img