Fshehja e varrezave masive nga Serbia, për dy dekada u zbuluan vetëm 4

48
Advertisement

Që nga paslufta janë zbuluar vetëm katër varreza masive në territorin e Serbisë, në të cilat kanë qenë të fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë gjatë periudhës prej 24 marsit e deri në fund të muajit maj të 1999-s. Pala serbe për më shumë se dy dekada ka mbajtur të fshehta informatat për varreza të tjera masive në territorin serb. Ndërkohë mbi 1.600 persona janë zhdukur nga ajo kohë dhe se nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Advertisement

Javën e kaluar ish-kryetari i Parlamentit të Vojvodinës, njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate, Nenad Çanak, në një debat televiziv ka folur për ekzistimin e varrezave masive me trupa të shqiptarëve në Serbi. Në emisionin “Çirilica” Çanak ka folur për deklarimet e ministrit të atëhershëm të Policisë, Dushko Mihajloviq, lidhur me ekzistimin e 16 varrezave për të cilat ishte marrë vendimi që të mos flitej publikisht.

Për këto pohime kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka thënë se nuk kanë pasur informacione nga pala serbe. “Deri më tash në 4 lokacione janë bërë gërmime dhe ka pasur gjetje. Ka vazhdim të aktiviteteve, por ende nuk i kemi gjetur”, ka thënë ai për gazetën.

Gjetaj ka bërë të ditur se do të verifikojnë të gjitha këto çka janë thënë këto ditë dhe se do të kërkojnë nga pala serbe që të na japë informacione lidhur me këtë çështje. “Javën e ardhshme do të jem në vizita në terren. Do të vizitojmë lokacione në regjionin e Rashkës”, ka thënë Gjetaj.

Se pala serbe dyshohet që ka fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë tregon edhe dosja “Largimi i provave mbi krimet gjatë luftës në Kosovë: Operacioni fshehja e trupave”, e publikuar nga Fondi për të drejtën humanitare (FDH) në janar të 2017.

Reagime për fshehjen e varrezave masive nga pala serbe

Deklarimet e ish-zyrtarëve serbë kanë nxitur reagime në Kosovë. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka publikuar dokumente që dëshmojnë krimet serbe në Kosovë. Përmes një postimi në Facebook, ai ka përmendur krimet në Suharekë, Suhodoll të Mitrovicë, Brusnik dhe Novolan të Vushtrrisë.

“Kufoma të ekshumuara, që iu ndryshohet vendi i varrimit dhe, sipas gjasave, për çështje kohe nuk kanë pasur mundësi t’i transportojnë në Batajnicë apo vendvarrime të tjera. 18 kufoma në Suharekë, 25 në Suhodoll të Mitrovicës, 20 në Brusnik dhe 18 në Novolan të Vushtrrisë. Çfarë fsheh Serbia? Pse ishin kaq mizorë me të gjallët, por edhe me të vdekurit tanë? Për shkak të pamjeve të tmerrshme jam i detyruar që të mos publikoj të gjitha faqet e dokumenteve”, ka shkruar Syla. Ai ka bashkangjitur disa dokumente që dëshmojnë krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë…

PostAdssFotoja e reklamës