-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Farsa e takimeve qeveritare të një kombi

Dje u mbajt takimi i radhës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Ky i bie të jetë takimi i shtatë, që nga takimi i Prizrenit i mbajtur në janar të vitit 2014 e, i cili takim, si çdo tjetër, prodhoi veç zhurmë mediatike pa asnjë efekt pozitiv në jetët e qytetarëve andej dhe këtej kufirit.

Është e dukshme performanca e dobët e institucioneve tona në drejtim të hartimit dhe të koordinimit të projekteve që na bashkojnë si komb. E përse mendoj kështu, këtë do të mundohem ta shpjegoj më poshtë.

E kujtoj pompozitetin e takimit të parë të mbajtur në “Hotel Sharri”, që quhej “Takimi G2G”. Madje, akterët e atij takimi nuk denjonin që ‘drekës’ së tyre t’i jepnin edhe dimension historik, të përmasave të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878. Por, që nga viti 2014, asgjë nuk ka ndryshuar. Qeveritarët e Kosovës  e të Shqipërisë vazhdojnë të prodhojnë marrëveshje shterpe, të ambalazhuara mirë me etos folklorik. Sepse, ende nuk kemi marrëveshje të mbështetura mbi bazën e katër elementeve themelore të projekteve konkrete: konceptim, planifikim, ekzekutim dhe afatizim kohor.

Po e sjell këtu një shembull të thjeshtë:

Në mbledhjen e tretë, të mbajtur në qershor të vitit 2016, një ndër shtatë marrëveshjet e nënshkruara ka qenë edhe marrëveshja për krijimin e një Qendre të Përbashkët Trajnuese. Kush mund të tregojë se cili është fati i asaj qendre? A është formuar ndonjëherë dhe, nëse po, kë ka pasur objekt trajnimi? Cili është numri i qytetarëve të trajnuar? Apo, sa shumë resurse ka shfrytëzuar kjo qendër? Sa për t’ju rikujtuar, ideatorë të kësaj marrëveshjeje kanë qenë: si në çdo takim tjetër kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, dhe lideri i partisë që sot e udhëheq Qeverinë e Kosovës, Isa Mustafa. E, shembuj të tillë ka plotë. Fatkeqësisht!

Nuk dua të keqkuptohem, sepse nuk jam kundër këtyre takimeve. Madje, këto takime do të duhej të institucionalizohen dhe të punohet në grupe punuese përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjeve. Andaj, them se për të pasur sukses, fryma e këtyre takimeve duhet të ndryshojë.

Për mendimin tim, këto takime duhet të organizohen së paku mbi bazën e këtyre tri parimeve:

Së pari: takimeve duhet t’u paraprijë një debat përmbajtjesor nga grupet e interesit që direkt afektohen nga këto marrëveshje. Për shembull, marrëveshjet me përmbajtje ekonomike do të duhej t’i adresojnë shqetësimet që më së miri i di komuniteti i biznesit në të dyja shtetet. E, shqetësime të tilla ka mjaft. Duket absurde marrëveshja që në fokus ka ndërtimin e hekurudhës, kur e dimë se shpeshherë qarkullimi i lirë i mallrave mes Kosovës e Shqipërisë pengohet për shkaqe tjera (tarifa doganore, burokraci etj.). Me marrëveshjen për hekurudhat, qeveritarët sikur duan të thonë se lidhjet tona ekonomike, tregtare, kulturore dhe sportive janë aq intensive, por që problem është veç transporti!? Debati i njëjtë duhet të zhvillohet edhe për marrëveshjet në fushat tjera, si në arsim, kulturë, sport etj.

Së dyti: nuk kam dëgjuar asnjëherë nëse në këto takime është diskutuar për fatin e marrëveshjeve të mëparshme. A janë realizuar ato e nëse po, cilat janë rezultatet e pritura? Nëse jo, kush është përgjegjës për moszbatimin e tyre? Sepse, pa e analizuar dhe kuptuar mirë të kaluarën, vështirë mund ta ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Së treti: është koha e fundit të fillojmë të ndërtojmë institucionin e llogaridhënies institucionale dhe financiare. E dimë që arsyeja kryesore e organizimit të këtyre takimeve është rritja e rejtingut politik tek votuesi, por jo deri në nivelin e një shpërdorimi transparent të parasë publike. Në të kundërtën, është farsë të na thuhet se meqë duam të kursejmë paranë publike, ne e hamë ushqimin në zyrë.

Në fund, takimi i djeshëm për mua ende shpërfaq konceptin qeverisës alla-ballkanik. Kjo sepse këto takime kanë efekt të kundërt me qëllimin e organizimit, që kinse është bashkimi kombëtar. Sot nuk na pengon kush, nga jashtë, që kombi të bashkohet – praktikisht. Bashkimi po sabotohet nga brenda – nga politikanët inkompetentë e pa asnjë vizion politik.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img