-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Studimi i fizibilitetit të Ujmanit mund të përcaktojë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Pas pak javësh, ekspertët amerikanë nga Departamenti i Energjisë pritet të nisin studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, pikë kjo e marrëveshjes së Uashingtonit për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ekspertë shqiptarë e serbë, të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, po e shohin këtë proces si përcaktues edhe për marrëveshjen finale për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja vende.

Në procesin e dialogut, Serbia kishte insistuar vazhdimisht që menaxhimi i Ujmanit të jetë në kompetencë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë të cilën e kishte refuzuar kategorikisht pala kosovare.

Rëndësia e Ujmanit për Kosovën

Ky liqe konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.

Dragisha Mijaçiq, drejtor i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, një organizatë joqeveritare, në një intervistë pët Radion Evropa e Lirë vlerëson se Serbia ka të drejtë të pretendojë hise në Ujman dhe se mund ta kontrollojë rrjedhën e lumit.

“Serbia në çdo moment, mund të ndërtojë një pendë të re, një hidro-elektranë pasi lumi Ibër kalon në territorin e saj. Kjo do të ndikonte në zbrazjen e liqenit, gjë e cila do të godiste zhvillimin ekonomik të shoqërisë dhe stabilitetin e përgjithshëm të Kosovës qendrore”.

Por, profesoresha e së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Prishtinës, Iliriana Islami, i tha Radios Evropa e Lirë se një hap i tillë do të ishte shkelje e parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare Publike.

“Absolutisht, Serbia nuk mund të ketë një të drejtë të tillë. Ajo është rreptësishtë e ndaluar me të drejtën ndërkombëtare, sepse ujërat që kalojnë nëpër territorin e dy apo më shumë shteteve, duhet ta kenë sasinë e ujit ashtu sipas rrjedhës natyrore. Bile, së paku, është i kufizuar edhe peshkimi apo çfarëdolloj tjetër, që nuk e ka (lë) të pasur në mënyrë të mjaftueshme siç e ka pasur më herët më herët në shfrytëzimin e këtyre ujërave’ .

Islami sqaron se në të Drejtën Ndërkombëtarë ekziston një rregull bazë, që quhet parim i mirëbesimit, i vendosur sipas doktrinës së Harmonit, e përcaktuar me 1907 që kishte të bënte me mosmarëveshjet ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës, lidhur me shfrytëzimin e ujërave.

“Marrëveshja duhet të ketë për bazë, barazinë sociale, zhvillimin ekonomik si dhe mirëbesimin për mos ndotjen e ambientit. Ndërsa për çështje të tjera që kanë të bëjnë, qoftë më ndërtimin e digave, shfrytëzimin e ujërave për termocentrale apo diçka tjetër, që mund të vijnë më pas, këto janë gjithmonë të ndaluara, për shkak se konsiderohet se çdo marrëveshje e përcakton qartë, metrin kub të ujërave që e shfrytëzojnë territoret. Madje, e përcaktojnë që as fauna, nuk mund të zvogëlohet’ sqaron profesoresha Iliriana Islami.

Si u ndërtua Ujmani?

Projekti për akumulimin e Ujmanit kishte nisur ne vitet e 60-ta, pasi në atë kohë kishte nisur edhe zhvillimi industrial në Kosovë e në të njëjtën kohë, duhej sasi e madhe e ujit për funksionimin e termo-elektranave.

Pos kësaj, Ujmani u ndërtua edhe për ujitje të tokës bujqësore, duke përfshirë Rrafshin e Kosovës.

Në fshatin Gazivodë, në periferi të Zubin Potokut, disa nga ata që morën pjesë në ndërtimin e pendës kryesore në vitin 1973, e cila është njëra ndër më të lartat në Evropë, thonë se atëherë ky liqe kishte bashkuar të gjitha etnitë.

Pensionisti Lubisha Kompiroviq nga Zubin Potoku, i cili ishte punësuar nga Hidroteknika për ndërtimin e pendës me lartësi prej 107m, tha për Radion Evropa e Lirë se shqiptarë e serbë e ndërtuan bashkë këtë liqe.

“Bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyeshëm. Edhe sot, shokët e mi më thërrasin. Edhe unë i thërras, dëgjohemi përmes telefonit. Atëherë ka qenë krejt në rregull, derisa ndodhën bombardimet. Që atëherë, gjithçka shkoj mbrapshtë. Për Gazivodën s’e di çfarë të them, por serbët dhe shqiptarët nuk duhet të grinden, duhet të jetë siç ka qenë dikur’ tha Kompirovic.

Por, ky liqen, me sipërfaqe prej 11,9 kilometrash katrorë, tash është kthyer në pikë ndarëse mes shqiptarëve dhe serbëve. Kosova ka refuzuar në vazhdimësi që ta hapë si temë në dialogun me Serbinë pronësinë dhe menaxhimin e këtij liqeni, një e katërta e të cilit shtrihet në territorin serb.

Avdi Gjonbalaj, ekspert i ujërave, që në atë kohë kishte mbikëqyrur punimet për ndërtimin e liqenit, thotë për Evropën e Lirë se se Kosova ka paguar më shumë se 14.8 milionë dollarë për shpronësimin e tokave për ndërtimin e tij, duke përfshirë edhe fshatrat në territorin e Serbisë.

“Objekti është i formuar në territorin e Republikës së Kosovës, një pjesë i ka takuar Serbisë, por toka është e shpronësuar, prandaj territori mbetet i Serbisë, por toka mbetet pronë kadastrale e Kosovës. Përpos kësaj, Serbia nuk ka asnjë nevojë për ujërat, sepse prej Pridvoricës deri në Kralevë nuk ka shfrytëzues të ujit, as për pije, as për ujitje, as për industri’ tha Gjonbalaj

Ky aset u ndërtua në vitin 1972 me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar nga Kuvendi i atëhershëm krahinor i Kosovës dhe Kuvendi federativ i Jugosllavisë.

Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon ka të drejtë në pronësi.

Investime të reja

Kuvendi i Kosovës, si themelues i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, e përcakton këtë ndërmarrje si menaxhuese të Ujmanit dhe të të gjithë sistemit përcjellës.

Kjo ndërmarrje ka nisur investimin e 11 milionë eurove për renovimin e Kanalit të Ibrit, që sjell ujin e Liqenit të Ujmanit edhe në Prishtinë. Për renovimin e këtij kanali është marrë një hua nga Banka Botërore. Kanali siguron ujë për nevojat e prodhimit të energjisë, për nevojat e minierave, industrisë, bujqësisë dhe për nevojat shtëpiake.

Pas luftës së vitit 1999, kur Serbia humbi kontrollin mbi administrimin e Kosovës, në vitin 2002 kishte themeluar një ndërmarrje paralele serbe, me emërtimin “Ibar”, për menaxhimin e Liqenit të Ujmanit. Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk kanë fare kontakt me këtë strukturë.

Dragisha Mijaçiq mendon se megjithatë ka një lloj bashkëpunimi.

“Ajo çka është interesante është se të gjitha të ardhurat nga shpërndarja e ujërave merren nga ndërmarrja “Ibër-Lepenc”. Në anën tjetër, të gjitha punimet në instalimet e pendës dhe hidrocentralit paguhen nga Republika e Serbisë përmes kompanisë “Ibar”- tha Mijaçiq për Radion Evropa e Lirë.

Avdullah Nishori, ka drejtuar ndërmarrjen “Ibër-Lepenc” nga viti 2005 deri më 2009, mohon të ketë pas komunikim me këtë strukturë paralele.

“Po flas për kohën sa kam qenë unë drejtor i kësaj ndërmarrje, nuk ka pasur fare bashkëpunim me këtë organizatë (Ibar). Një pjesë e punëtorëve të ndërmarrjes në veri, merrnin paga të dyfishta, nga kjo organizatë, ndërsa pjesa e punëtorëve të vjetër, merrnin kryesisht, paga nga “Ibër-Lepenci” –tha Nishori për Radion Evropa e Lirë

Nishori thotë se punëtorët serbë të Ibër-Lepencit i përgjigjen ndërmarrjes që ka qendrën në Prishtinë:

“Ka numër mjaft të madh, më shumë se sa ka nevojë. Atje operohet infrastruktura e digës së madhe të Ujmanit, infrastruktura e Pridvoricës dhe hidrocentrali. Edhe sot e kësaj ditë janë punëtorë të Ibër Lepencit, dhe marrin paga prej “Ibër-Lepencit”- sqaron Nishori.

Aktualisht, ndërmarrja Iber-Lepenci ka 27 të punësuar vetëm në Ujman.

Ujmani-sinonim i ndërvarësisë veri-jug

Liqeni i Ujmanit që është shndërruar në luftë politike, ka rëndësi jetike në veri e jug të vendit. Në Shipol, në periferi të Mitrovicës së Jugut, gjendet fabrika për përpunimin e ujit të pijes, që furnizon me ujë të pijshëm edhe Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin.

Dragisa Mijaçiq pret që rezultati i fizibilitetit për Ujmanin nga amerikanët, në fakt të sjellë edhe marrëveshjen finale për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai përmend edhe qëllimin e SHBA-së për ndërtimin e një termocentrali të ri, e ku siguria për ujë është qenësore.

“Ata (SHBA) nuk do të lejojnë që çështja e Gazivodës dhe menaxhimit të këtij resursi strategjik, të mbetet e pazgjidhur, para se të hyjnë në këtë investim kaq të madh. Prandaj, do të ketë presion nga pala amerikane që ta zgjidhin çështjen e menaxhimit të këtij resursi, në një mënyrë apo tjetër, qoftë përmes privatizimit, ndonjë modeli të përbashkët qeveritar apo përmes koncesionit. Por, mendoj se kjo çështje do të zgjidhet shpejt”.

Por, Avdi Gjonbalaj, i cili ka kohë që hulumton në arkiva të gjithë dokumentacionin rreth Ujmanit, ka frikë se ky studim fsheh pas vetes një agjendë tjetër.

“Serbia po synon që vetëm ta fusë dorën në xhep, dhe bindja ime e thellë është se kjo është përpjekje për ta ndarë pjesën veriore. Ata pranojnë ta furnizojnë Kosovën, por me pagesë. E menaxhojmë objektin, i bëjnë disa lehtësira, por unë e kuptoj se arsye ekonomike, teknike nuk ka. E kemi fizibilitetin, asnjë send nuk mund ta përmirësojë” shprehet Gjonbalaj

Ujman, Gazivodë apo Trump?

Sipas paralajmërimeve, studimi i ri i fizibilitetit për Ujmanin, do të mund të përmbyllet shumë shpejt. Por, pos epilogut, e paqartë mbetet edhe nëse ky liqen do të vazhdojë të quhet Ujman për shqiptarët, e Gazivodë për serbët, apo do të ketë emërtimin e ri të përbashkët, “Liqeni Trump”.

Kjo gjë nisi si shaka, por mori formë serioze, kur edhe u përkrah publikisht nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img