-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Vuçiq: Kurrë nuk kemi qenë më larg nga kompromisi me shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është kundër ruajtjes së konfliktit të ngrirë. “Ne po përpiqemi të bëjmë një kompromis me shqiptarët… Por, siç më duket tani – pothuajse kurrë nuk kemi qenë më larg nga një zgjidhje kompromis”, tha ai.

Presidenti serb, siç raportojnë mediat serbe, këto komente i bëri në Beograd, në hapjen e dialogut të tretë për çështjen e Kosovës me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, konventë kjo që bashkon rreth 700 organizata të shoqërisë civile në Serbi.

“Unë do të bëj gjithçka që qeveria e Serbisë dhe të gjithë ata që marrin pjesë në bisedime të bëjnë më të mirën për t’iu afruar një zgjidhjeje kompromisi. Edhe pse, siç më duket tani – pothuajse kurrë nuk kemi qenë më larg nga një zgjidhje kompromis”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Vuçiq shtoi se kushtet në bisedimet për Kosovën janë shumë të vështira.

“Sepse, kur dikush thotë se për ta [palën kosovare] është e mbyllur çështja e Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin ata duhej të përmbushnin tetë vjet më parë, e në të njëjtën kohë ju dëgjoni tone të buta nga BE, do të pyesni se çfarë do të kishte ndodhur nëse ne  do ta kishim thënë dhe bërë atë.  Për ata [palën kosovare] gjithmonë do të dëgjoni një justifikim. Nëse ne nuk do të kishim përmbushur diçka për shtatë apo tetë vjet, më mirë të mos them se cilat do të ishin pasojat”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka deklaruar po ashtu se ‘gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon’.

“Rasti i Armenisë dhe Azerbajxhanit na ka treguar se sa të rrezikshme janë të ashtuquajturat konflikte të ngrira. Sepse një ditë, gjithçka që është e ngrirë do të shkrihet nga dikush”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka vlerësuar po ashtu se reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj ripërtëritjes së konfliktit në Nagorno-Karabak ishte i butë dhe se kjo mund të shërbente si një mësim për Serbinë.

“Kjo na tregon shumë mirë që kohërat në botë kanë ndryshuar, se ka interesa të veçantë më të fortë në krahasim me interesa me të vogla grupore të cilat kanë ekzistuar më herët dhe se ne e dimë shumë mirë se duhet të jemi të gatshëm për të ruajtur vendin tonë në çdo kohë,” tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë tha se politika e saj e plotë e jashtme ka dy qëllime kryesore – e para është pozicionimi i vendit dhe ruajtja e stabilitetit politik dhe paqes në rajon, dhe e dyta është përparimi ekonomik i vendit.

Tema e këtij takimi ishte “Politika e Jashtme e Serbisë” dhe “Perspektivat e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit dhe rifillimi i dialogut për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img