-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Tri dosjet e dërguara në OVL e UÇK-së, Gjykata Speciale thotë se aktakuzat vazhdojnë të mbesin konfidenciale

Që nga 7 shtatori tri dosje me materiale, që pretendohet se janë dokumente me të dhëna nga Gjykata Speciale janë dorëzuar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dosja e parë është lënë në objektin e OVL e UÇK-së, më 7 shtator, dosja e dytë më 17 shtator dhe dosja e tretë, është lënë një ditë më parë, më 22 shtator.

Hysni Gucati nga kjo organizatë, më 7 shtator në një konferencë për media kishte thënë se pako ka materiale, dikur rreth katër mijë dosje të Gjykatës Speciale, ndërsa në zyrat e tyre ishin dërguar rreth orës 09:15.

Ndërkaq, Nasim Haradinaj po nga kjo organizatë ishte shprehur se fillimisht janë befasuar nga kjo pako me materiale.

“Po e dëshmon atë që deputetët tanë, qeveria jonë, ata që e kanë votuar këtë Gjykatë definitivisht dëshmohet se janë pre, faqezi e renegatë, njerëzit më të dëmshëm që nuk ja duan të mirën Kosovës… sepse të legjitimosh një gjykatë një etnike, një gjykatë qoftë edhe në emër të ndërkombëtarëve, që fatkeqësisht do të shohësh këtu që kanë rënë pre e karrem e vet Serbisë dhe njerëzve të Millosheviqit e kanë dëmtuar dhe po vazhdojnë të dëmtojnë Kosovën…”, kishte thënë Haradinaj.

Në këtë dosje kishte katër kopje me rreth 1400 faqe, ndërsa sipas tyre janë emrat e të gjithë dëshmitarëve.

“..Ku është arsyeja… Ku është logjika e mbrojtjes së dëshmitarëve për arsye që është kryesorja se kanë thënë po e formojnë jashtë… të dhënat e tyre me emra e mbiemra, shqiptarë, rom, serbë çdo person e ka datën se kur dhe në ç’vend është marrë në pyetje…”, ishte shprehur ai.

Ndërkaq, dosja e dytë në zyrat e OVL e UÇK-së, kishte shkuar më 17 shtator.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj ishte shprehur se OVL-UÇK është që të zbardhen krimet në Kosovë, por jo në mënyrë selektive.

“Çdo material që vjen e që tregon lidhjen e tyre me Serbinë ne do ta qesim. Serbët po mbrohen e neve po na shpallin kriminel”, ka thënë ai, duke shtuar se po bëhet mirë që po publikohen këto dosje.

Haradinaj, i kishte thënë Telegrafit se ata nuk e pranojnë më këtë Gjykatë, pasi sipas tij, i ka skaduar afati.

“Këto kopje janë këtu, ne nuk kemi për detyrë t’i dorëzojmë përtej këtu. I bëjmë ftesë kush të dojë le të vijnë e t’i marrin. Vetëm një e kemi plan, Prokurorit Special më pa Policinë tonë nuk e kemi plan as këto kopje me ia dhanë. Nëse vijnë me policinë tonë ua japim, sepse për ne i ka skaduar afati i kësaj Gjykate”, tha Haradinaj.

“Këto dokumente që i kemi marrë tash, disa kopje ua kemi dhënë gazetarëve, janë disa kopje aty, tash kush të donë me ardh e me i marrë le të vjen. Kush të dojë”

Ndërkaq, sa i përket bisedës që është zhvilluar mes personit që i ka sjellë dosjet në zyrat e OVL-së së UÇK-së dhe stafit të organizatës, Haradinaj tha se i panjohuri që i ka dorëzuar këto materiale vetëm u ka thënë se do të vijnë edhe dokumente të tjera.

Haradinaj tha se dera e organizatës së tyre është e hapur për secilin dhe se sa herë që dikush do të sjellë materiale ata do t’i publikojnë.

Ndryshe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hyni Gucati gjatë një konferencë të jashtë zakonshme për medie, kishte thënë se në dokumentet e pranuara ka deklarata të dëshmitarëve, por jo edhe emrat e tyre, ndërkaq nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se ka pasur mbi 130 komunikime me drejtorin e policisë serbe, dhe me zyrtarë të tjerë të aparatit shtetëror të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Por, një ditë më parë kjo zyre ka pranuar edhe një pako me dosje, që pretendohet se janë nga Gjykata Speciale.

Kjo është bërë e ditur gjatë një konference për media, ku nënkryetari i OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj përmendi edhe emrat e pesë të akuzuarve potencial që përmenden në këtë dosje.

“Me anglishten time të cunguar unë e shoh që është një projekt aktakuzë. Për pesë të akuzuar potencial siç janë Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Po përmenden më shumë këto vende Jabllanicë, Likoc, Bajica e Shalës, Llapashtica, Kleçka, Zllashi, etj”, kishte thënë ai.

Gjatë kësaj konference, Haradinaj u konfrontua edhe me gazetarët që ishin prezent, duke kërkuar nga ta që t’i bëjnë publike këto dosje.

“Ju gazetarët jeni për zbulime, urdhëroni.. për mi zbulu duhet mi publiku”, tha Haradinaj, shkruan Telegrafi.

E dikush nga gazetarët i tha se publikimi i tyre është i ndaluar me ligj dhe se për këtë mund të dënohen, Haradinaj pati reagim të ashpër.

“A jom unë forca e katërt a ti, pse përqef nuk po i publikoj, të isha kanë në media e kishe pa. Shtrëngo edhe mos fol…unë i qita emrat edhe 300 vjet burg mi jepni… mos më thuaj qiti ti. Ti je media, je forca e katër e shtetit. Unë ti tregova pesë të akuzuarit potencial”, tha Haradinaj.

E në këtë debat u përfshi edhe kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati.

Gucati fajësoj mediat se në rastin e veteranëve kishin publikuar listat me emra e mbiemra, kurse këto nuk po kanë guxim t’i bëjnë publike.

Por, sikur dy herët e kaluar edhe dje janë më parë zyrtarët e Speciales shkuan në zyrat e OVL e UÇK-së, për t’i marr dosjet.

Marrjen e këtyre dosjeve nga zyrtarët e Speciales e ka konfirmuar për Telegrafin, sekretari i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku.

“Po kanë ardhur dhe i kanë marrë dosjet që na janë dorëzuar sot”, ka thënë Klinaku.

Ai ka shtuar se kanë kërkuar nga zyrtarët e Speciales që t’i hetojnë personat të cilët po i sjellin këto dosje në zyrat e OVL e UÇK-së

Ndryshe, lidhur me këto dosje Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë komentuar nëse janë autentike.

Por, zëdhënësi Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett, një ditë më parë përmes një komunikate ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me dosjet e dorëzuara në Organizatën e  Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Bennett ka thënë se gjatë javëve të fundit zyra e tij ka marrë shumë pyetje nga gazetarët në lidhje me deklarata të bëra nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, e cila, sipas tij, “në një numër rastesh është përfshirë në aktivitete, që unë besoj se kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë”.

“Gjatë kësaj kohe unë kam vënë re gjithashtu profesionalizmin e lavdërueshëm dhe integritetin etik të gazetarëve të Kosovës dhe komentatorëve të tjerë publikë, shumë prej të cilëve kanë folur qartë se si aktivitete të tilla minojnë sundimin e ligjit dhe kursin e drejtësisë”, ka thënë Bennett, transmeton Telegrafi.

Sipas tij “deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike, dhe derisa një aktakuzë të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj”.

Ndryshe, për afro tri javë OVL e UÇK-së tri herë ka pranuar disa dokumente, që pretendon se kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është e qartë dhe nuk dihet nëse ato janë origjinale.

Identiteti i personit, i cili, sipas OVL-së, ka dërguar në këtë organizatë “mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh”, vazhdon të jetë anonim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img