R.K, infermiere, në njërën prej qendrave mjekësore në Gjilan, ishte infektuar me COVID-19 në gusht të këtij viti.
Pasi ishte shëruar, ajo ishte kontaktuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë në Kosovë për ta njoftuar se do të merrte një shumë prej 50 eurosh.
Boehler tregon se çfarë do të përfitojë Kosova nga marrëveshja
Të njëjtën shumë, sikurse ajo, sipas FSSHK’së, e kanë pranuar edhe 1500 mantelbardhë të tjerë që janë infektuar nga COVID–19, gjatë kohës sa ishin në detyrë.
“Është vendim i Federatës Sindikale të Shëndetësisë për të gjithë ata që dokumentojnë pozitivë me COVID–19, përmes testit PCR, i marrin nga 50 euro si ndihmë nga ana e Sindikatës. Ky vendim ka qenë që nga fillimi i pandemisë, por këtu nuk përfshihen personat që testohen me teste serologjike. Ne e kemi parë që shteti nuk i ndihmon asgjë ata dhe e kemi marrë ne përsipër. Numri i mantelbardhëve të prekur nga koronavirusi ka kaluar shifrën prej 1500”, ka thënë Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë.
Krahas shtesave prej 300 eurosh, që Qeveria i ka ndarë për këtë sektor, nga FSSHK-ja janë ndarë në total 75 mijë euro, për personelin shëndetësor e prekur nga koronavirusi.
Ndërkohë, Sindikata që mbron të drejtat e rreth 250 mijë punëtorëve në sektorin privat po ankohet se institucionet, e veçmas ekzekutivi kosovar po e neglizhon këtë sektor, i cili njashtu si mantelbardhët, rrezikohet nga pandemia COVID–19.
Kreu i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, thotë se Sindikata që ai udhëheq nuk ka fonde të mjaftuara për ta përkrahur numrin e punonjësve të prekur me COVID–19, e që kap shifrën e 783 personave.
“Jeta e një mjeku, apo një kryetari të shtetit është e barabartë me jetën e një punëtori të sektorit privat. Sinqerisht po them se është një marri që Qeveria e Kosovës nuk ka shtruar përkujdes ndaj këtyre punëtorëve edhe pse ne kemi një numër tejet të lartë të punëtorëve që janë të infektuar dhe Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera asnjëherë nuk i kanë dalë në ndihmë kësaj kategorie. Kemi një rast në Pejë, ku kryetarja e shoqatës, e cila është prekur me COVID-19 dhe ka një gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe ne nuk kemi pasur mundësi t’i ndihmojmë”, ka thënë Azemi.
Nga kjo sindikatë kanë paralajmëruar se nëse ky sektor vazhdon të neglizhohet nga ekzekutivi, do të hynë në grevë nga java e ardhshme.
Sektori privat ishte mbështetur me shumën prej 170 eurosh për muajin mars dhe prill, pagesë kjo që ishte paraparë me Pakon Fiskale Emergjente.
Ndërkohë, një pjesë e mantelbardhëve që kanë kontakt direkt me të prekurit me COVID–19 po ndihmohen nga shteti me nga 300 euro./koha