Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe deputeten e Kuvendit të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, kanë vizituar punimet në asfaltimin e rrugës Prilluzhë-Bukosh, projekt ky i Ministrisë së Infrastrukturës.
Ministri Abrashi ka thënë se përfundimi i kësaj rruge ka rëndësi jetike për banorët e këtyre fshatrave, duke theksuar se do të ketë edhe investime të reja.
Abrashi bëri të ditur se po përfundon një rrugë që ka mbetur në gjysmë që nga viti 2018.
“Kjo rrugë është shumë esenciale për qarkullimin normal të banorëve dhe njëkohësisht lidh komunat në mes veti. Gjithsesi se do të ketë edhe investime tjera në këto fshatra, që do t’i parashohim në projektet e ardhshme”, ka thënë Abrashi.
Asfaltimi i rrugës regjionale R220, Prilluzhë-Bukosh në Komunën e Vushtrrisë, kap vlerën e 1 milion e 977 mijë euro dhe është e gjatë 12.7 kilometra.