Një 45-vjeçare nga Tirana tregoi vështirësitë gjatë përballimit të sëmundjes, të cilën e quajti ‘vdekje me sy hapur’.
Virusi nuk prek vetëm shëndetin, por edhe financat e pacientit.
Gruaja e cila kërkoi të mbetej anonime, tregon se u prek nga COVID-19 më 25 korrik dhe se kishte disa simptoma, por jo shumë të qarta.
“Pastaj shkova tek mjekja e lagjes. Ajo më dha një grafi, një analizë dhe më dha direkt ilaçet. Që aty fillova,” tregon e prekura nga COVID.
Ajo tha se tamponin e ka bërë pas dy javësh kur erdhi dhe ISHP me shumë vështirësi ndërkohë që mjekimin e nisi që javën e parë prej temperaturës së lartë që kishte.
Zonja foli dhe për simptomat e virusit si dhimbja e kokës, mungesa e fuqisë apo temperatura e lartë. Ajo u shpreh e pasigurt për vendin ku mund ta ketë marrë virusin dhe tregoi se ka treguar kujdes maksimal në respektimin e protokollit të sigurisë dhe në ruajtjen e distancimit social.
Pyetur nga gazetarja e Euronews Albania se ku e kishte marrë mjekimin zonja tha se fillimisht ishte mjekuar në shtëpi.
“Javën e parë e mora në shtëpi. Pas një jave shkova në Sanatorium, mezi shkova vetë privatisht dhe pse atje nuk të linin të hyje privatisht , duhej 127 të sillte, ndërkohë që 127 s`përgjigjej asnjëherë. Doktoresha më mbajti, më bëri analizat, skanerin dhe dola me pneumoni pas COVID. Atje pastaj mora mjekimin e javës së dytë. Kam marrë 4 herë mjekim. Gjilpëra pa fund, kokrra, të gjitha që i bie që unë kam harxhuar 700 mijë lekë për këtë mjekim. Spitali nuk më mbajti, më tha vazhdoje mjekimin në shtëpi”, tha e prekura nga virusi.
Ajo u shpreh e shqetësuar për koston e mjekimit dhe tha se kishte qenë tepër e vështirë për ta përballuar. Ndërkaq pagjumësia, dhimbjet e kockave, dobësim i nervave ishin simptomat të cilat ia bënë edhe më të vështirë këtë periudhë e cila zgjati rreth 3 javë.
Gjatë gjithë kësaj kohe zonja shprehu se ka pasur shumë frikë edhe për shëndetin e familjarëve të cilët i kanë shërbyer por që sidoqoftë janë kujdesur të ndjekin të gjitha masat e sigurisë.
Nuk la pa përmendur dhe lehtësimin e gëzimin e madh që ndjeu kur mori vesh se testi përfundimtar doli negativ dhe nuk ishte më e prekur nga virusi COVID-19.
Pyetur për mënyrën se si ajo e konceptonte COVID duke qenë dhe një e prekur ajo tha se njerëzit e mendojnë si lodër ndërkohë që nuk është i tillë.
“COVID-19 është vdekje me sy hapur”,- përfundoi ajo.