3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Wilson: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, pjesë e një procesi historik

Nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, thotë se dokumentet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë duhet shikuar si pjesë të një procesi më të gjerë historik, i cili po zgjidhet.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se pavarësisht faktit se pjesa më e madhe e marrëveshjes është për tema politike, në thelb negociatat dhe marrëveshjet në këtë kontekst janë politike.

Damon thekson se tash duhet të ketë një angazhim të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të ofruar mbështetje, por edhe për të bërë presion te palët që marrëveshjet e arritura të gjejnë zbatim.

Radio Evropë e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar dy dokumente për normalizimin e raporteve midis dyja vendeve, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump. Ka pasur shumë deklarime për një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, por duket se kjo nuk ishte e tillë. Cili është opinioni juaj?

Damon Wilson: Sigurisht se ka qenë një shenjë e mirë e përparimit për normalizimin e bisedimeve dhe dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Pas zgjedhjeve në Serbi dhe ndryshimeve të qeverisë së Kosovës, të shohësh vazhdim të normalizimit të raporteve, dialog dhe negociata me angazhimin e udhëheqësisë së Prishtinës dhe Beogradit, është një gjë pozitive. Kjo nuk ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse por mendoj se është pjesë e një procesi të gjerë historik që po zgjidhet, dhe përfaqëson edhe një hap përpara, pasi kemi SHBA-në që punon me të dyja palët për të marrë vendime për interesin e përbashkët, të fokusuar vërtet në aspektin ekonomik por sigurisht se ai politik është kyç.

Radio Evropë e Lirë: Përmbajtja e dokumenteve është kryesisht për ekonominë dhe i mungon në masë të madhe përmbajtja politike. A mendoni se ekonomia do të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje politike mes dy vendeve?

Damon Wilson: Mendoj se të gjitha janë të ndërlidhura. Të gjitha negociatat dhe marrëveshjet e kësaj natyre, pra që kanë të bëjnë me këtë kontekst, janë në thelb politike, edhe pse temat dhe çështjet janë me fokus ekonomik, vendimi që merret për të lëvizur përpara me ato është politik. Mendoj se është gjë e mençur nëse shohim sesi një marrëdhënie më normale në rajon mund të mund të prodhojë mundësi më të mira ekonomike, zhvillim dhe vende pune. Mendoj se sa më shumë që njerëzit në rajon të mund të shohin përfitimet ekonomike, atëherë kjo krijon një ambient më të favorshëm për të marrë vendime politike.

Radio Evropë e Lirë: Si e komentoni faktin se Kosova do të pezullojë për një vit përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare?

Damon Wilson: Mendoj se është e rëndësishme që t’iu jepet gjitha palëve një vit kohë për tu përqendruar në arritjen e marrëveshjeve, në vend se të përplasen me njëra-tjetrën. Padyshim se të dyja palët janë përpjekur të ndjekin interesat e tyre dhe të përfitojnë pozicion më të mirë në negociata, por ndërmarrja e këtyre hapave, siç është pezullimi i fushata për çnjohje, apo ai i Kosovës për organizatat ndërkombëtare, duke se po e shpërqendrojnë Prishtinën dhe Beogradin në çështjet midis tyre. Prandaj, nëse mund të kalojmë një vit për një krijuar një ombrellë, përmes së cilës të dyja palët mund të krijojnë besim, mendoj se duhet të jetë e qëllimshme dhe kësaj here ajo duhet të shfrytëzohet për të arritur më shumë përparim në marrëveshjet në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Sepse në fund të fundit ju dëshironi të shihni Kosovën jo vetëm duke bërë duke bërë përparim në paqe – por është njohja ajo që Kosova dëshiron të arrijë në kontekst të marrëveshjes me Serbinë dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare më pas do të ishte shumë më i lehtë. Pra, le të fokusohemi në këtë.

Radio Evropë e Lirë: A mendoni se ujdia e arritur në Uashington do të zbatohet? Ekzistojnë shumë marrëveshje të arritura midis dy vendeve në Bruksel, përfshirë atë për diplomat që është pjesë e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, por që nuk janë zbatuar nga Prishtina ose Beogradi? Kush mund të garantojë zbatimin e këtyre pikave?

Damon Wilson: Mendoj se është një problem i madh. Kemi parë shumë shpesh në rajon përkushtime politike që janë pozitive por që më pas janë neglizhuar, pra mendoj se është e rëndësishme të ekzistojë një mekanizëm për të ndihmuar zbatimin. Në fakt kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të punojnë së bashku në një mënyrë më efektive për të ofruar mbështetje por edhe presion te palët për të zbatuar marrëveshjet. Unë shpresoj se të dyja palët do të marrin përgjegjësinë mbi vete për të arritur këtë, por mendoj se procesi do të kërkojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që si partnerë me ata të mbajnë në përgjegjësi për të zbatuar përkushtimet.

Radio Evropë e Lirë: Menjëherë pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, pati një reagim nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, në lidhje me një fotografi nga Shtëpia e Bardhë në të cilën shihej presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ulur para presidentit amerikan. Në reagimin e saj, në njëfarë mënyre ajo u tall me këtë fotografi. Pastaj erdhi reagimi i zyrtarëve serbë. Cili është komenti juaj për këtë?

Damon Wilson: Mendoj se ka qenë veprim i jashtëzakonshëm nga ana e Kremlinit. Fyes, nënçmues, poshtërues, në një mënyrë që – të paktën si e shoh unë – vë theksin në tranzicionin gjeopolitik që po ndodh tani në Ballkan. Ballkani Perëndimor po e betonon vendin e tij në Evropë, po e vendos veten në botën e lirë, dhe çfarëdo përparimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të shpejtojë vendin e Kosovës dhe Serbisë në komunitetin euro-atlantik. Mendoj se ajo çfarë pamë është një shqetësim i Kremlinit që presidenti Vuçiq dhe Serbia kanë hapur vërtet një rrugë të një marrëdhënieje dhe partneriteti ndryshe me Shtetet e Bashkuara. Unë jam shokuar me veprimin e Kremlinit dhe kjo vë theksin se në çfarë mënyre të shpejt po ndodhë tranzicioni në raportet mes Serbisë dhe Rusisë.

Radio Evropa e Lirë: Një pikë tjetër befasuese nga kjo marrëveshje është njohja nga Izraeli, dhe hapja dhe lëvizja e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem. Si e komentoni këtë pikë?

Damon Wilson: Është interesante, kjo ishte pjesë e papritur e diplomacisë së administratës së presidentit Trump. Ao çfarë po mundohemi të tregojmë këtu është se vështirësitë mund të tejkalohen. Mendoj se kjo është çështje dytësore në krahasim në shqetësimin për rajonin. Ne vërtet duam të shohim Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin duke normalizuar raportet, në mënyrë që të kenë raporte konstruktive me çdokënd tjetër. Pra, mendoj se kjo është reflektim i prioriteteve të administratës së Trumpit në këtë kohë.

Radio Evropa e Lirë: Në ndërkohë, liderët e Kosovës dhe Serbisë vazhduan më 7 shtator bisedimet në Bruksel dhe hapën çështje të reja në negociata, të tilla si Asociacioni i komunave serbe dhe detyrimet financiare. I dërguari amerikan për dialogun, Richard Grenell ka thënë se pika që u hoq nga marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë, mbi njohjen reciproke, do të diskutohet nga evropianët. A mendoni se të dyja palët do të bien dakord?

Damon Wilson: Ky është një proces. Unë kam besim se do të shohim arritjen e më shumë marrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kam besim sepse është në interesin e të dyja palëve, pasi Kosova nuk mund të fitojë njohjet dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe Serbia nuk e ka të hapur rrugën për në Bashkimin Evropian. Por a do të arrijnë marrëveshje nesër? Me siguri se jo. Çështje si këto nuk ndodhin brenda 24 orësh. Mendoj se Bashkimi Evropian është i fokusuar në përgatitjen e arkitektuar për një marrëveshje të madhe, mendoj se kjo do të ishte shumë efektive nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian angazhohen së bashku.

Radio Evropa e Lirë: Si i komentoni rezultatet e zgjedhjeve në Malin e Zi, ku opozita pro-serbe dhe pro-ruse pritet të formojë qeverinë?

Damon Wilson: Mendoj se është shenjë se Mali i Zi ka një demokraci të shëndoshë. Ekzistojnë disa gjëra të komplikuara atje. Kishim një koalicion që u bë bashkë, u mobilizua si reagim ndaj ligjit për pronën e Kishës Ortodokse Serbe, dhe që arriti të përfitojë një mbështetje financiare por edhe tjera, jashtë Malit të Zi, e kombinuar me ata që thjesht donin ndryshim, në vendin ku Partia Demokratike e Socialistëve udhëhiqte për tri dekada. Pra, kjo do të jetë e komplikuar, por mendoj se nuk mund të bësh ndryshime të kahes gjeostrategjike të vendit me një votë diferencë më shumë. Mali i Zi është në NATO dhe në rrugë drejt anëtarësimit në BE, dhe mendoj se ky do të jetë një proces i komplikuar që do të kërkojë shumë kompromise politike, por këto janë anët e dhimbshme dhe të bukura të demokracisë. Ne duhet ta lejojmë këtë proces të ndodhë, ne duhet të jemi të dobishëm për aleatin tonë dhe të shpresojmë që reforma dhe mbështetja për reformat në vend do të shkojnë në procesin e stabilizimit dhe ndihmës së komunitetit euro-atlantik. Ne do të shikojmë me shumë kujdes për t’u siguruar që angazhimi që Mali i Zi ka ndërmarrë nuk rrezikohet dhe që aktorët e dyshimtë dhe që nuk janë të besueshëm nuk vendosen në pozicione në lidhje me sigurinë dhe nuk dërgohen te përfaqësuesit e NATO-s. Unë mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që Mali i Zi të tregojë se mund të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare dhe se mund të jetë një partner i përgjegjshëm.

Radio Evropa e Lirë: Koalicioni fitues thotë se ata do të respektojnë detyrimet ndërkombëtare, përfshirë ato me NATO-n. Keni pasur ndonjë kontakt deri më tani me ta? Si e shihni bashkëpunimin e tyre me Perëndimin?

Damon Wilson: Jam i shqetësuar, por i pranoj ato që thanë. Unë mendoj se angazhimi dhe këto siguri janë shumë të rëndësishme në një kuptim specifik dhe mendoj se do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj tyre si partnerë, por gjithashtu do të duhet të shikojmë veprimet. Në të kaluarën, sa herë që dikush nga Këshilli Atlantik ishte në Mal të Zi, u përpoq të takohej me aktorë të ndryshëm politikë, njerëz në pushtet, opozitë, koalicion, në parlament … Fatkeqësisht, ndonjëherë kërkesat tona për takime u refuzuan, por ne gjithashtu arritëm të takohemi me përfaqësuesit e opozitës. Unë mendoj se ky do të jetë një proces i komplikuar, por në fund të fundit kjo është demokracia, një kompromis midis këndvështrimeve të ndryshme. Qëllimi është të merret përsipër e ashtuquajtura politikë normale në kontekstin e një Mali të Zi sovran dhe të pavarur që është pjesë e Aleancës së NATO-s dhe udhëheqës në rrugën për në BE. Unë mendoj se është një kombinim i mahnitshëm i arritjeve strategjike të atij vendi të vogël dhe shpresoj që çdo qeveri e re do të menaxhojë mirë atë që ka trashëguar, dhe se do të bëjë përparim në ato gjëra ku përparimi ka qenë i ngadaltë brenda vendit dhe do të jetë një partner i mirë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img