Në ora 17:00 (sipas orës tonë ) është dashur të fillojë takimi në Shtëpinë e Bardhë por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Delegacioni i Kosovës ende nuk është nisur për në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Telegrafi.
Siç raporton drejtori i RTV Dukagjinit, Ermal Panduri delegacioni i Kosovës nuk është nisur për shkak të problemeve të brendshme.
Ndërkohë analisti Imer Mushkolaj thotë se në bazë të burimeve sot Kosovën do të njeh shteti i Izraelit.
“Paralajmërimet sipas burimeve tona janë që ka mundësi që Kosovën do ta njeh Izraeli. Ky është plani. Ne i dimë tashmë raportet që SHBA kanë me Izraelin. Një shtet mjaft i rëndësishëm në aspektin strategjik. Kjo do të nënkuptonte edhe angazhimin që kanë SHBA-të për Kosovën…Është një njohje shumë domethënëse që ka një simbolike të veçantë edhe për shkak të raporteve të Izraelit me Serbinë”, tha Mushkolaj.
Po ashtu, Mushkolaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se delegacioni kosovar po vonohet për tu nisur në Shtëpi të Bardhë, për shkak se marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet aty po kundërshtohet nga pjesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Vonohet nisja e delegacionit kosovar drejt Shtëpisë së Bardhë. Pjesa e AAK’së kundërshton marrëveshjen dhe nuk pranon të shkojë”, shkruan Mushkolaj.