-2.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Lajçak: Afate kohore nuk kemi, por kemi “vija të kuqe”

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se dialogu midis dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve është aktualisht çështja më e rëndësishme në Ballkan dhe paralajmëroi se do të ketë intensifikim të raporteve midis dy palëve.

“Të dyja palët e kuptojnë se dialogu dhe normalizimi nuk mund të shmangen. Evropa është në krye të këtij procesi qysh në vitin 2011, sepse edhe Serbia, edhe Kosova kanë të ardhme evropiane. Për ne, kjo është çështje e fqinjëve tanë dhe e anëtarëve të ardhshëm, e jo ndonjë aktivitet i marrëdhënieve publike”, tha Lajçak në Forumin e 15-të Strategjik të Bledit në Slloveni.

Lajçak tha se nuk ka afate në negociata, sepse, siç u shpreh, “nëse vendosni afate, ju do të keni diçka që mund të ndikojë në proces”, por kjo është arsyeja që ka “vija të kuqe”, që BE-ja nuk dëshiron t’i kalojë, tha ai.

“Kemi vija të kuqe. Nuk është e drejtë të thuhet se për çfarëdo që të merren vesh dy palët, për ne është në rregull. Sepse, mandati im thotë se këndi që duhet të arrijë në proces, është që normalizimi i marrëdhënieve të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të jetë i pranueshëm për anëtarët e BE-së dhe ta qetësojë situatën në rajon”, tha Lajçak.

Ai shtoi se Evropa do ta pranojë ndihmën e ndonjë pale të tretë, përfshirë SHBA-në, nëse ofron zgjidhje konkrete.

Lajçak tha se kolegët nga SHBA-ja vetëm e kanë informuar për takimin e ardhshëm midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, që duhet të mbahet më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk jemi këshilluar për datën ose përmbajtjen e takimit, por vetëm jemi informuar se takimi do të mbahet dhe se do të jetë i një natyre strikte ekonomike. Nuk do të jetë pjesë e procesit, por vetëm një takim dhe nuk kam asnjë arsye të dyshoj për këtë”, tha Lajçak.

Takimi i fundit i ekspertëve të dy delegacioneve u mbajt më 27 gusht në Bruksel.

Ai përfundoi me vlerësimin e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë se procesi ka shënuar hapa prapa dhe me akuza të ndërsjella.

Sipas informacioneve jozyrtare nga delegacionet, ekspertët nga Prishtina dhe Beogradi do të takohen sërish në Bruksel, më 6 shtator, ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen përsëri në kryeqytetin evropian të hënën, më 7 shtator.

Lajçak foli të hënën edhe për rolin e Bashkimit Evropian dhe të komunitetit ndërkombëtar në normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan.

“Politikanët e përgjegjshëm e kuptojnë se procesi i mëtejshëm i anëtarësimit në BE është i rëndësishëm, ndërsa populistët ‘luajnë’ me emocionet e njerëzve kundër anëtarësimit – gjë që është kundërproduktive, sepse Evropa dëshiron që të gjitha vendet evropiane t’i ndajnë të njëjtat vlera, sistemin ligjor dhe infrastrukturën, sepse kjo mund t’i bëjë ato më të forta”, tha Lajçak.

Në panelin me temën “Evropa pas Brexit-it dhe COVID-19”, që filloi të hënën, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë se “pa zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe pranimin e Serbisë si anëtare e plotë e bllokut evropian, nuk mund të përfundojë procesi i ndërtimit e sigurisë në Evropë.

Orban vlerësoi se “Evropa është në telashe” sepse ajo duhet të rivendosë stabilitetin ekonomik për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ai i bëri këto komente si pjesëmarrës i një paneli të udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore në kuadër të Forumit të Bledit.

“Evropa duhet të kuptojë se nuk është më një ‘lojtare kryesore’ në botë sepse tani janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Në ekonomitë moderne, qendra e përparimit shkencor i takon kryesisht sektorit ushtarak. Dhe meqenëse Evropa nuk ka një ushtri, ajo nuk ka një qendër shkencore për përparimin teknologjik”, tha Orban.

Ideja e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u përmend gjithashtu në fjalimin e kryeministrit të Çekisë, Andrej Babish, i cili tha se një plan konkret për zhvillimin e sigurisë në Evropë është në zgjerimin e territoreve.

“Ne duhet që menjëherë të përfshijmë Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Serbinë në zonën Shengen. Ne i premtuam mikut tonë Zoran Zaev (kryeministër i Maqedonisë së Veriut) se do të fillojmë negociatat e anëtarësimit. Ai dhe Boyko Borisov (kryeministri i Bullgarisë) mbrojnë kufijtë tanë shumë më mirë se disa kolegë të tjerë të Shengenit”, tha ai.

Në panel, foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. I pyetur nëse në Serbi ekziston një lloj i “evropianizmit të rremë”, ai tha se Serbia është në rrugën evropiane, porse ajo është e vetëdijshme se nuk është tema kryesore në Bashkimin Evropian, dhe se opinioni publik në Serbi nuk është “shumë entuziast” kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE.

“Serbia nuk është shumë entuziaste për këtë çështje. Rreth 40 për qind e njerëzve janë kundër politikës sonë për t’u anëtarësuar në BE, kryesisht sepse ata e shohin Bashkimin Evropian si një organizatë që ushtron presion mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo është e vërtetë, por nuk ka rëndësi. Udhëheqja politike ne jemi në rrugën tonë për në Bashkimin Evropian dhe po përballemi me probleme të shumta”, tha Vuçiq.

Duke folur për anëtarësimin në BE, Vuçiq tha se është gjithmonë më mirë t’i përkasësh atij klubi sesa të mos jesh anëtar.

“Kur flasim për Bashkimin Evropian, po, ne do të donim të bashkoheshim me atë klub. Ne kemi mbështetje të madhe në BE, kurrë nuk kemi nënvlerësuar mbështetjen që kemi marrë deri më tani. Por, në të njëjtën kohë, ne kemi idetë tona, ne shohim se çfarë po ndodh brenda Bashkimit Evropian dhe çfarë po ndodh ndërmjet SHBA.-së dhe BE-së “, tha Vuçiq.

Forumi i Bledit mbahet tash e 15 vite dhe është një projekt i Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, që organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë dhe organizata qeveritare Qendra për Perspektivën Evropiane. /Rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img