3.6 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Paradoksale: Profesorët e dyshuar për mashtrim vendosin për Akademinë e Shkencave

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka hapur më 1 shtator konkursin për pranimin e anëtarëve të rinj korrespodentë të akademisë. Sipas ligjit për AShAK, kandidati për anëtar korrespondent “mund të zgjidhet punonjësi i shkencës ose i artit, shtetas i Kosovës, i cili ka krijuar vepra shkencore ose artistike të një rëndësie të veçantë”.
Fakultetet e ndryshme kanë filluar përgatitjen e propozimeve të tyre, ndërkohë që sipas ligjit për AShAK, nga dy recensentë duhet të përgatisin recensione për punën e kandidatëve që propozohen.
Departamenti i Matematikës, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, ka nisur procedurat për përgatitjen e propozimeve të tyre.
Ky departament ka propozuar emra si Ramadan Zejnullahu, Rexhep Gjergji, Faton Berisha dhe Naim Braha, të gjithë doktorë të shkencave dhe profesorë në Universitetin e Prishtinës.
Për kandidatin Faton Berisha recensentët e caktuar nga departamenti janë dy persona të cilët me ose pa dashje janë pjesë e mashtrimeve që lidhen me avancimet e tyre akademike. Fjala është për Marian Dema – rektor në Universitetin e Prishtinës; dhe Fevzi Berisha – anëtar i këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Gazeta Jeta në Kosovë ka prezantuar më parë të dhënat për një punim të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema në një revistë të dyshuar si mashtruese. Revista nuk u përgjigj atëkohë, ndërkohë që nuk janë marrë masa ndaj rektorit nga komisioni disiplinor në mungesë të rregullores së punës së komisionit, i cili po pret për miratim.
Pak kohë pas këtij publikimi universiteti nxori një qarkore si propozim për krijimin e listave të revistave të cilat duhen shmangur. Në listat e propozuara nga rektorati ishte edhe revista ku Dema kishte botuar një punim.
Dema tha se nuk kishte bërë ndonjë mashtrim dhe refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve specifike të Gazetws Jeta në Kosovë për besueshmërinë e revistës ku ishte botuar punimi i tij.
Recensenti tjetër, Fevzi Berisha, njëherit anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, po ashtu është pjesë e një mashtrimi pasi ai mban në CV-në e tij një punim që nuk e ka të publikuar. Ai e ka paraqitur publikimin e punimit të tij në një revistë kroate Glasnik Matematicki, mirëpo punimi i tij nuk gjendet në të.
Gazeta Jeta në Kosovë ka vërtetuar se punimi i Berishës nuk është publikuar kurrë në revistën kroate. Megjithatë në CV-në e tij edhe sot e kësaj dite punimi figuron si i publikuar me titull “O svojstva odnogo obobshçenogo modulja neprerivnosti, primenenogo v teorii priblizhenija”.
AShAK pas 15 tetorit kur është edhe afati i fundit për propozim të korrespodentëve të rinj, do të shqyrtojë shumë recensione, ndër to edhe recensionet e shkruara nga dy profesorë për të cilët ka dyshime të bazuara për mashtrime akademike që i kanë favorizuar ata brenda institucionit ku punojnë.
Etika akademike
Profesorja e filozofisë e Fakultetit Filozofik të UP-së, Hasnije Ilazi, e cila ligjëron lëndën Etika, thotë se etika akademike është një çështje me rëndësi kudo në botë kur bëhet fjalë për avancimin e hulumtimit dhe publikimeve për shkak të zhvillimit teknologjik.
“Institucionet akademike me renome botërore përveç nivelit të shkencës dhe dijes, prioritet i kanë vlerat me të cilat identifikohen”, tha Ilazi për Gazetën JNK.
Ajo tha se këto vlera janë përgjithësisht në përputhje me shoqëritë ku këto institucione veprojnë, por megjithatë ato kanë rregulla specifike që jo domosdoshmërisht rrjedhin nga ligjet por të cilat bëjnë që institucionet akademike të kenë rol proaktiv në vendosjen e një niveli të lartë etik publik.
“E tërë kjo tregon për rëndësinë e definimit të qartë të çështjeve etike në akademi, përmes të cilëve vendosen rregullat publike etike në njërën anë, dhe në anën tjetër, kultivohet ndjenja e brendshme e moralit, aq e nevojshme për raporte të shëndosha, të sinqerta ndërnjerëzore në çdo ambient të përbashkët, e në institucione akademike në veçanti”, thotë Ilazi.
Për sa i përket UP-së ajo është shprehur skeptike për nivelin etik të saj. “Për fat të keq, nga paslufta e deri më sot fjala integritet për UP ka mbetur vetëm në nivelin e abstraksionit”, tha Ilazi.
Ajo mendon se ky integritet nuk është cënuar vetëm nga jashtë, nga politika ditore, por edhe nga brenda për shkak të “mungesës së vendosjes se sistemit te vlerave dhe sanksioneve për shkeljet e të njëjtave; e tërë kjo si rezultat i dominimit të interesave klanore, mungesës së cilësisë, mungesës së guximit për të ndryshuar gjendjen, ose së paku për ta inicuar ndryshimin”.
Ajo konstatoi se gjendja është shqetësuese për sa i përket etikës dhe se kjo ka shkaktuar problem më të madh.
“Brenda kësaj mjegulle etike dhe profesionale, UP është e ngulfatur nga avancime jomeritore, plagjiaturat, mashtrime, përfitime si nga radha e stafit akademik ashtu edhe nga studentet,” tha ajo.
Aferat për avancimet akademike të dyshimta e kanë përcjellë historinë e fundit të UP-së. Në vitin 2013 ish-rektori Ibrahim Gashi, u detyrua të jepte dorëheqje pas protestave të studentëve dhe qytetarëve të Kosovës të cilat pasuan pasi që u zbulua se ai ishte një nga 5 autorët e një punimi që i duhej për avancim akademik, por doli të jetë publikuar në një revistë të rrejshme shkencore. /Gazeta JNK/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img