Pos telasheve të vazhdueshme me pandeminë, mungesa e rezervave të gjakut është një problem i madh me të cilin po përballet sistemi shëndetësorë.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë, Bukurie Raca tha për RTV Dukagjinin se rezervat tashmë janë në përfundim dhe gjendja është kritike.
“Gjendja është kritike sidomos sot kur kemi pasur tri ndeshje komunikacioni e që rezervat i kanë pakësuar edhe më tej. Bëjmë apel të qytetarët, sidomos te ata që e kanë grupin e gjakut zero pozitiv të paraqiten në Qendrën e Transfuzionit në Prishtinë apo edhe në qendrat regjionale dhe të ndihmojnë në sigurimin e dozave të gjakut”, deklaroi Bukurie Raca, përcjell Telegrafi.
Raca thotë se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga ndonjë infektim i mundshëm me COVID-19 pasi sipas saj janë marrë të gjitha masat.
Ajo demanton disa lajme se i gjithë stafi janë infektuar me COVID-19.
“Nga 44 të testuar vetëm 6 prej tyre kanë rezultuar pozitiv në coronavirus”, deklaroi më tej Bukurie Raca.
Qytetari Fahri Pllana thotë se është dhurues i rregullt i gjakut dhe sipas tij kjo i ndihmon shëndetit të tij dhe të tjerët.
Qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë të dhurojnë gjak në të gjitha qendrat regjionale në Kosovë dhe direkt në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë./RTV Dukagjini/Telegrafi/