-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Të vetmet që lulëzojnë – varfëria dhe korrupsioni

Çdo javë publikohen studime, raporte, anketa dhe investigime që skanojnë Shqipërinë reale, atë të tryezës dhe xhepit të qytetarëve, të kostos së jetesës, të rrogave, pensioneve, shpenzimeve, çmimeve, mundësive, vështirësive, e tjerë e tjerë, pra një paketë elementësh që përcaktojnë cilësinë e jetës së çdo qytetari. Kjo është Shqipëria që thellon çdo ditë hendekun dhe njihet gjithnjë e më pak me Shqipërinë e propagandës qeveritare. Në fakt e vërteta e qëruar e bilancit të një qeverie nuk janë fjalët, por shifrat.

Këtë javë revista “Monitor”, e specializuar për trajtimin e problemeve ekonomike, botoi një vështrim krahasues të pagave në vendet e rajonit tonë për vitin 2019. Paga mesatare në Shqipëri ishte 420 euro, të paktën 30 për qind më e ulët se në gjithë vendet e tjera të rajonit. Para Shqipërisë renditet Kosova (602 euro), Maqedonia (617 euro), Serbia dhe Bosnja rreth 700 euro. Në vend të parë është Mali i Zi, ku paga mesatare është 770 euro. Ky nivel pagash është në linjë me të dhënat e Eurostat për nivelin e të ardhurave gjatë vitit 2019, botuar po kësaj jave, ku Shqipëria rezulton se i ka ndër më të ulëtat në Evropë, me 31 përqind të mesatares evropiane.

Nëse marrim mjekësinë, mjekët shqiptarë jo vetëm kanë ngarkesë shumë të madhe, por janë edhe më të keqpaguarit. Paga mesatare 435 euro e punonjësve të shëndetësisë, sipas Monitor, është afërsisht sa gjysma e mesatares rajonale. Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro.

Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e mjekëve dhe infermierëve, me synim ndalimin e eksodit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1195 euro (nga 661 euro më parë); mjeku i përgjithshëm 836 euro (nga 566), kryeinfermierët 621 euro (nga 472) dhe infermierët e parë 537 euro (nga 425 më parë).

E njëjta situatë pak a shumë edhe me mësuesit.

Një publikim tjetër gjatë javës ishte raporti i Eurostat, i cili përveç të dhënave për nivelin e të ardhurave që cituam më lart, publikoi edhe krahasimin e të dhënave që matin diferencat në çmime mes vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë vendet e rajonit tonë. Sipas raportit, në Shqipëri, çmimet janë sa 57 për qind e mesatares së BE-së, më të lartat në rajon. Vendi i fundit, me çmimet më të larta. Kjo është Shqipëria e vitit 2019 që shkon drejt përkeqësimit të mëtejshëm edhe për shkak të pandemisë.

Nëse kthehemi prapa, jo më larg se dy-tre javë, do të gjejmë dy investigime domethënëse nga Rrjeti i Gazetarëve Investigativë, BIRN dhe raporte të KLSH që takohen në një pikë: në atë të zbulimit të abuzimeve dhe korrupsionit me fondet publike në qeverisjen qendrore dhe vendore. Investigimi i BIRN për ndihmat ushqimore për familjet në nevojë gjatë periudhës së karantinës, ndriçon me fakte që nuk janë kundërshtuar një gjendje vartësie të zyrtarëve në vend ndaj korrupsionit e vjedhjes. Nuk rrinë dot pa llogaritur pjesën për vete e pa futur duart edhe në kafshatën e fukarasë. Shifrat dhe faktet e mbledhura nga BIRN tregonin, se janë asistuar vetëm gjysma e numrit të familjeve që deklaroi në krye të herës zoti Rama, se një numër i madhe familjesh kanë marrë ndihmë vetëm për një muaj, aq sa u është dashur ministrave dhe kryebashkiakëve të PS-së të pozojnë si altruistë të mëdhenj. Në dy muajt e tjerë të karantinës, të braktisurit janë lënë “ta zgjidhin vetë”.

Ky duket se është tashmë opsioni numër një i qeverisë për shumë çështje që kanë të bëjnë me vështirësitë e familjeve dhe sipërmarrjes në kushtet e krizës së pandemisë. Po BIRN, mbështetur në rezultatet e një auditi të KLSH-së, kishte publikuar së fundi një investigim që hedh dritë mbi shkeljet, abuzimet dhe konfliktin e tregueseve financiarë në ndërtimin dhe menaxhimin e incerenatorit të Tiranës. Janë denoncime që thërrasin në kauzë prokurorinë e SPAK-un për hetime të thelluara dhe çuarjen në gjykatë të shkeljeve e vjedhjeve. Janë bërë shumë e vijojnë të shtohen e të shtohen rastet e aferave korruptive, aq sa po zë vend perceptimi se rregulli e korrektësia janë përjashtime, kurse shkeljet e korrupsioni janë rregull.

Të dhënat e gjendjes ekonomike dhe treguesit e korrupsionit në vend kanë një lidhje të ngushtë. Korrupsioni është shkaku numër një i varfërisë dhe prapambetjes. Të vetmit që “lulëzojnë” janë prapambetja e varfëria në një anë dhe korrupsioni në anën tjetër. Korrupsioni është vetë kurdisja e modelit dhe mënyrës së shpërndarjes së të ardhurave publike dhe këtu kam parasysh “preferencën” për t’i çuar paratë në ndërtimin e veprave publike, me PPP e pa PPP, apo për mirëmbajtjen e veprave të ndërtuara, gjë që u jep mundësi zyrtarëve qendrorë e vendorë të marrin me një dorë, me parapagim shpeshherë, pjesën, ryshfetin e normuar.

Retorika nuk ka asnjë vështirësi të lartësojë rëndësinë e veprave publike. Do të ishte shumë bukur, fjala vjen, të lidhemi me teleferikë me Alpet, sa për të dhënë një shembull. Por qeveria i mirë ndjek përparësitë në raport me të ardhurat, ndjek parimin e nevojave dhe balancimit të tyre në shpërndarjen e të ardhurave. Investimet e “pjesës për vete” e kanë verbuar shikimin për rritjen e rrogave e pensioneve, për rritjen e subvencioneve në bujqësi, për mbështetjen e sektorëve që krijojnë punë për të rinjtë dhe zhvillim. Sepse këtu nuk ka “pjesë për vete”. “Pjesa për vete” ka vrarë garën. Nuk ka më garë, fituesit në numrin më të madh të rasteve zgjidhen, ose paracaktohen. Pseudogarat fitohen në shifrat e fondit limit nga fituesi i paracaktuar. Shto këtu informalitetin e lartë, më të lartin në rajon gjithashtu. Shto shpenzimet administrative. Shto pozicionin e bankave që nxjerrin nga kursimet e shqiptarëve fitime të majme për vete që i transferojnë jashtë, por ndihmojnë shumë pak për zhvillimin e vendit. Në këtë sistem të mbyllur të vjedhjes dhe babëzisë, Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve çudi si e shtyjnë.

Një shembull shumë domethënës i vetëkurdisjes së sistemit të korrupsionit, që ka si kolonë zanore retorikën e “vendosmërisë”, zhurmimin e dështimeve e kritikave, është shpallja së fundi e ndërtimit me PPP të autostradës Milot-Fier me një vlerë totale prej rreth 1.2 miliardë euro për 53 km të reja dhe 62 km rrugë ekzistuese. Qeveria dështoi të siguronte financimin e këtij projekti nga Nisma e Berlinit. Dështoi të tërhiqte, nëse i vajti mendja, interesin e koncesionarëve që ndërtojnë me paratë e tyre dhe e menaxhojnë vetë investimin që bëjnë për një periudhë të caktuar kohe. Vendosi t’i drejtohej, më saktë t’i bjerë me top arkës së taksapagueseve shqiptarë. Në këtë projekt fushor, i ndërtuar në disa segmente, kostoja reale për një kilometër shkon afërsisht njëzet milion euro. Gjashtë presje, nëntë milion euro për kilometër është kostoja e paguar e autostradës Rrëshen- Thirrë ndërtuar mbi gur nga hiçi, me një numër të madh urash nga njëri breg i luginës në tjetrin. Rreth nëntë milion euro për kilometër është kostoja e kombinuar e gjithë autostradës kur përfshihen dy tunelet në shkëmb, 5,6 kilometër secili. E përsëris edhe njëherë: nëqoftese PPP-të e fushës kushtojnë aq sa thotë qeveria dhe nuk janë vjedhje e stërmadhe, rrugën e Kombit na e kanë bërë dhuratë.

Mua ende me duket një operacion zhurmimi dhe gajreti, ky i autostradës Milot-Fier. Por nuk përjashtohet mundësia që sistemi i korrupsionit vetkurdisës dhe qeveria janë kapur dhe nuk lëshohen më. Po të jetë kështu, në horizontin e afërt kemi një borxh publik që do ta kalojë kufirin 80 përqind të prodhimit të brendshëm bruto; interesat vjetore të borxhit dhe PPP-ve mund te jenë më të larta se rritja ekonomike në skenarin optimist të rritjes ekonomike vitin e ardhshëm. Se çfarë vjen pas kësaj, ekonomistët e dinë me mirë dhe po e paralajmërojnë me alarm.

“Për rikujtesë, paga ime nuk është rritur asnjë qindarkë që prej 23 qershorit 2013”, tha para ca kohësh një prej mjekëve infeksionistë të pararojës në betejën kundër coronavirusit, zoti Tritan Kalo, i njohur edhe për sentencat e tij lakonike në kostumin e intelektualit. Me lejen për ta ngritur rrëfimin e tij për pagën në nivelin e një përgjithësimi për gjithë shtresën e mjekëve, për gjithë punonjësit publikë, për gjithë qytetarët dhe pensionistët shqiptarë, kam keqardhjen të parashikoj se me strukturën thellësisht korruptive të investimeve publike dhe me borxhin ortek të Shqipërisë, rritje rrogash e pensionesh s’ka se si të ketë. As vitin e ardhshëm dhe për shumë vite, sa pa u ndalur “ kurdisja” e korrupsionit në vend. /Gazeta Liberale/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img