Kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka reaguar pas akuzave të LVV’së ndaj deputetit Kujtim Shala dhe Arben Gashi se i kanë sulmuar pas mbledhjes së komisionit për punë të jashtme.
“Kështu është, kur nuk e kupton gjuhen intelektuale të Akademikut Kujtim Shala. Nuk ke kapacitet të mendosh dhe ta kuptosh se çfarë tha dhe thua me rrahu Kujtimi.
Akademik Shala mund ti rrahë me dije e me argumente prej të parit deri në të fundit të VV-së dhe të gjithë së bashku. Ai ka dije e mendjehollësi; ka më shumë libra të botuara sesa VV-ja deputetë”, ka thënë Mustafa, duke e quajtur rastin improvizim.
“Frikësohem se nëse deputetët e VV-së i lexojnë librat e Kujtimit dhe nuk i marrin vesh, pasi janë vetëm zhurmues, do ta thërrasin një helikopter, jo makinë të ndihmës së shpejtë, para ndërtesës së Kuvendit.
Deri sot i kanë bërë të gjitha të zezat, e sot improvizojnë se i sulmuan deputetët e LDK-së, sepse duan të luajnë rolin e viktimës.
Tani po pres, që ndonjë diplomat i jashtëm, përkëdhelës i VV-së, të ma sjell një “demarsh” në LDK; ata që u mërzitën shumë kur e prishëm koalicionin me VV-në”, tha ai.