7.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Zëri i Amerikës: Mundësitë e një marrëveshje Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e opozitës në përpjekjet e tij për të siguruar një konsensus politik rreth bisedimeve me Serbinë. Ftesa e tij për forumin e udhëheqësve të partive politike mbi këtë çështje u bojkotua të martën nga partitë opozitare.

Mungesa e një konsensusi të brendshëm dhe situata politike në vend sipas analistëve, rrezikon të pamundësojë një marrëveshje me Serbinë.

Drejtori i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë për Zërin e Amerikës, se politika në Kosovë nuk është e përgatitur për një marrëveshje përfundimtare dhe sipas tij. kryeministrit të vendit i duhet një president i ri i zgjedhur.

“Qeveria e udhëhequr me një shumicë të ngushtë dhe pa bartës tjerë të institucioneve do ta ketë të pamundur të bëjë negociata për marrëveshje finale, kjo është mirë e ditur dhe nuk kërkon diskutim. Ajo çka do të duhej shpejt të ndodhë varësisht nga zhvillimet që ndodhin me Dhomat e Specializuara, që partitë politike të merren vesh për zgjedhjen e presidentit. Ka indikacione se do të mund të merren vesh për zgjedhjen e presidentit, i cili nuk do të duhej të jetë vetëm një figurë e gjetur diku sa për të mbushur pozicionin, por duhet të jetë një figurë me mbështetje sa më të gjerë politike dhe që të jetë i fuqishëm politikisht, e fuqishme politikisht, që së bashku me kryeministrin të bartin përgjegjësinë e negociatave”, tha Rashiti.

Analistja Donika Emini thotë se kryeministri Hoti përballet me mungesë të mbështetjes në parlament.

“Nëse e shohim me numra, eventualisht nëse një pjesë e PDK-së i bashkëngjitet, ne kemi menduar se kjo do të ndodhë nëse një marrëveshje do të shtyhej nga presidenti Thaçi, që megjithatë një pjesë e PDK-së do ta mbështet dhe në parlament do të kalojë. Mirëpo, tash kur e kemi pozitën e pezulluar të presidentit dhe kemi parë që në mënyrë të hapur këshilltarë e presidentit kanë deklaruar që zoti Hoti nuk ka legjitimitet të shkojë atje, më bën të kuptoj që një pjesë e PDK-së apo të gjithë, nuk do ta përkrahin një marrëveshje e tillë, andaj nëse nuk përkrahet nëse nuk e ka përkrahjen e parlamentit, nuk e di se me çfarë matematike mundet zoti Hoti të shtyjë tutje një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Emini.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet në shtator.

Analistët në Kosovë thonë se Bashkimi Evropian është i pafuqishëm të çojë përpara një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“E kemi një BE e cila nuk di çka të bëj me procesin. Bashkimi Evropian për dy vite me radhë ka tentuar ta kthejë procesin në kuluaret e tij pa e ditur se çka do të ofrojë. Është investuar shumë që të mos lejojnë amerikanët të marrin procesin në duar por në momentin që ka ardhur procesi në duart e tyre ata janë konfuz. Ata nuk kanë fuqi politike, fakti se sot po flitet për dialog teknik ajo veç tregon një manovër politike të BE-së për të mbuluar mungesën e fuqisë politike që kanë për të ecur tutje me një marrëveshje e nivelit të lartë politik”, tha Donika Emini.

“E para; BE-ja nuk ka ndonjë metodologji të përshpejtuar të kësaj përkundër gjithë këtij angazhimi ndërkombëtar dhe takimi i ardhshëm në shtator tregon se kemi kohë mjaft ,pastaj në nëntor një tjetër dhe e dyta qeveria e Kosovës, politika në Kosovë a janë gati për të hyrë në një proces negocimi për një marrëveshje përfundimtare dhe Vuçiq a do të sillet me atë qasjen e ngjashme siç është parë në takim apo do të ofrojë diçka për marrëveshje ndërkombëtare dhe kjo për mua është dilema më e madhe dhe nuk tregon ndonjë gatishmëri serioze të vendeve përtej vullnetit të mirë për të shkuar në dialog për një marrëveshje përfundimtare”, tha Rashiti.

Analistët thonë se udhëheqësit e Kosovës po shfaqin plogështi politike dhe mungesë të bashkërendimit gjë që sipas tyre do të vështirësojë edhe më tej mundësinë e vazhdimit të bisedimeve. /VoA/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img