Marko Gjuriq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i është përgjigjur ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stubllës, për komentin e saj rreth librit shovinist, ku Kosova paraqitej edhe me zgjatimin “Metohija”, në takimin mes komisionerit evropian, Oliver Varhelyit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Advertisement
“Jam i vetëdijshëm se trashëgimia e krishterë është një temë e dhimbshme për ju, sepse ekstremistët shqiptarë dogjën rreth 150 kisha ortodokse serbe në 1999 dhe 2004″, ka shkruar Gjuriq në llogarinë e tij në Twitter.
Haradinaj-Stublla e quajti këtë takim, të ilustruar me anë të një fotografie nga vetë Varhely, e ku shihej libri “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” (Prejardhja e krishterë e Kosovës dhe Metohisë), më shumë se sa një skandal diplomatik.
Ministrja ka vazhduar duke thënë se “projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit”.
“Këtë duhet ta ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme. Kosova e 17 Shkurtit nuk preket”.
Nga zyra e Varhelyit, Maja Kocijançiq, ka sqaruar se takimi u mbajt nga Presidenti Vuçiq në misionin e Serbisë në BE dhe jo në zyrën e Komisionerit.
“Takimi u prit nga Presidenti Vuçiq në misionin e Serbisë në BE (pra jo në zyrën e Komisionerit)”, ka thënë Kocijançiq për Insajderin.
Ajo tutje ka potencuar se Komisioneri dje është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe mban kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme me të dyja palët, në përputhje me politikën e vendosur të BE-së dhe prioritetet e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Ai mban kontakte shumë të rregullta me Kosovën dhe Serbinë, në përputhje me politikën e vendosur të BE-së dhe përparësinë që i japim Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar ajo.
PostAdss