Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim në Tiranë, Kryetarin e Skënderajt, Bekim Hamëz Jasharin dhe Kryetarin e Drenasit, Ramiz Tushë Lladrovcin.
Kjo u bë e ditur nga vet Cakaj, përmes llogarisë së tij në Facebook.
Cakaj tha se biseda u përqendrua në punën e bërë prej kryetarëve në zemër të Drenicës, drejtësinë e pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rëndësinë e patjetërsueshme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Ai theksoi se pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe domosdoshmëria e ruajtjes së shumicës shqiptare në Bujanoc.
Kjo e fundit sipas tij është edhe detyrë historike edhe nevojë institucionale për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Sakrifica sublime e familjes Jashari e Lladrovci ndër breza për lirinë e Kosovës duhet të shërbejë si burim frymëzimi për gjithë shqiptarët kudo ndodhen”, tha Cakaj.