Pas takimeve online, të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian pritet të takohen delegacionet nga Kosova dhe Serbia.
Partitë tona politike edhe këtë herë nuk kanë unifikim të qëndrimeve, e njohësit e çështjeve politike e shohin si të papërgjegjshme këtë qasje.
“Në të gjitha proceset historike ku ne kemi dalë fitimtarë, si në Rambuje si në Vjenë , ka qenë e karakterizuar nga një pjesëmarrje e gjerë e spektrit politik kosovarë. Rrjedhimisht edhe kësaj here nëse duam të dalim fitimtarë duket të kemi një kohezion nacional dhe një konsensus të brendshëm. Fatkeqësisht po shohim daljen në pah të inateve ditore personale”, deklaroi analisti politik Fitim Salihu.
Nga Donika Emini kryeministri Avdullah Hoti po shihet si i ri në këtë proces dhe pa ndonjë përvojë domethënëse.
“Po kthehemi prapë si një palë që nuk ka unitet të brendshëm në lidhje me procesin. Kryeministri është i ri në procesin e dialogut, i ri në navigim në marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe pa unitet të brendshëm politik dhe pa legjitimitet nga brenda zoti Hoti do ta ketë shumë të vështirë të çoj mesazhe nga Kosova në atë tavolinë. Pastaj është shqetësues fakti se ai po shkon pa ndonjë agjendë të caktuar e po shkon në një proces që është tejet delikat dhe shumë sensitiv politikisht pa konsultuar ndoshta as partnerët e vet të koalicionit e lëre më opozitën”, deklaroi Donika Emini.
Pas një periudhe të gjatë bllokimi dialogu do të rifillojë këtë të enjte me 16 korrik në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian./RTV Dukagjini