-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Skandaloze: Abuzimi me të sëmurët mendor, privohen nga liria pa vendim gjykate

Dje, 10 tetori, ishte Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor. Kosova qëndron keq në respektimin e Ligjit për Shëndetin Mendor, që ka hyr në fuqi më 24 tetor të vitit 2015. Nëpër Institucionet e Shëndetit Mendor, ku trajtohen personat me çrregullime mendore, ligji nuk respektohet për arsye banale. Ndërsa mbajtja e personave pa vullnetin e tyre me ligj konsiderohet vepër penale.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të drejtat e personave me çrregullime mendore  dhe me paaftësi intelektuale, por edhe hyrja në fuqi e ligjit për Shëndetin Mendor, më 24 tetor të vitit 2015, nuk kanë gjetur zbatim nga institucionet kryesore të shëndetit mendor, që bëjnë trajtimin e këtyre personave nëpër institucione të tipit të mbyllur.
Ligji që ka hyr në fuqi vitin e kaluar specifikon se për trajtimin e pavullnetshëm të një personi me probleme mendore, institucioni i cili mban, duhet të ketë vendim gjykate. Në rast që një institucion nuk ka vendim gjykate dhe mban një person kundër vullnetit të tij, ligji e konsideron si burgosje.
Raste të tilla janë evidentuar pothuajse në të gjitha institucionet që trajtojnë persona me probleme mendore të tipit të mbyllur.
Për mos respektimin e ligjit dhe mbajtjen e personave pa vendim gjykate është interesuar Institucioni i Avokatit të Popullit. Ai ka bërë një raport në vitit 2016, ku gjen shkelje të të drejtave të njeriun nëpër të gjitha institucionet që bëjnë trajtimin e njerëzve me probleme mendore.
Në shkurt të vitit 2016 Avokati i Popullit ka publikuar një raport, ku alarmon për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Institucionet e Shëndetit Mendor.
Indeksonline ka kontaktuar me zyrën e Avokatit të Popullit, ku ka dërguar disa raporte që tregojnë shkeljet flagrante që bëhen nga institucionet e Kosovës, ndërsa prokuroria ende nuk ka ndërmarr asnjë mas.
“Pas realizimit të vizitave të zyrtarëve të IAP-së në institucionet e lartpërmendura dhe analizës së raporteve zyrtare nga këto vizita, rezultoi se nga gjithsej 124 rezidentë, të vendosur në Institutin Special në Shtime (ISSH), Shtëpinë e Fëmijëve me aftësi të kufizuara mendore (SHF) në Shtime, si dhe në Shtëpitë me bazë në komunitet (SHK), në Ferizaj, Vushtrri, Deçan, Kamenicë, Graçanicë, 41 prej tyre nuk posedonin vendim gjykate, 12 prej tyre nuk posedonin asnjë dokument identifikimi, ndërsa 9 prej tyre ishin ende me letërnjoftime të UNMIKUT”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Raporti përveç që konstaton shkelje, shfaq shqetësimin edhe për kufizimin e lirisë së lëvizjes.
“Ky raport mbështetet në faktet dhe provat të cilat i posedon Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), lidhur me mbajtjen e personave me ngecje në zhvillim mendor në Institucione Rezidenciale, pa dokumente personale dhe vendime gjyqësore, për heqjen e zotësisë së veprimit, të cilat janë të përcaktuara si kritere, sipas UA nr.11/2014 dhe ligjeve në fuqi. Gjithashtu, shqetësimi kryesor ka të bëjë me kufizimin e lirisë së lëvizjes së personave sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Avokati i Popullit thekson se “gjykatat kanë obligim ligjor heqjen e zotësisë së veprimit, duke i respektuar procedurat e përcaktuara me legjislacionin e zbatueshëm, përfshirë këtu edhe afatet e parapara ligjore. Situata e tillë duhet zbatuar edhe tek personat me aftësi të kufizuar mendore – ngecje në zhvillim mendor të cilët janë nën përkujdesje institucionale”.
Ligji i Shëndetit Mendor nuk zbatohet për çështje teknike
Ligji për Shëndetin Mendor që ka hy në fuqi në tetor të vitit 2015, thotë se jo më pak se 48 orë gjykata ka obligim ta lëshojë një vendim për trajtimin e pavullnetshëm të një personi.
“Neni 24, Trajtimi i pavullnetshëm me vendim gjykate. 1. Gjyqtari e shqyrton kërkesën e paraqitur nga udhëheqësi i institucionit, ku ofrohet shërbimi i shëndetit mendor të specializuar me shtretër, për vlerësimin e trajtimit të pavullnetshëm, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga paraqitja e saj. 2. Vendimi i gjyqtarit zbatohet menjëherë nga shërbimi i specializuar i shëndetit mendor me shtretër. 3. Në çdo rast, kur nuk ekzistojnë më shkaqet për trajtim të pavullnetshëm, udhëheqësi i institucionit, ku ofrohet shërbimi i shëndetit mendor të specializuar me shtretër, familjarët ose përfaqësuesi ligjor parashtrojnë në gjykatën kompetente kërkesën për revokimin e vendimit të gjykatës”, thuhet në Ligjin për Shëndetin Mendor”, thuhet në nenin 24 të Ligjit për Shëndetin Mendor, raporton Indeksonline.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Shaban Mecinaj, është në dijuni që ligji për Shëndetin Mendor ka hyr në fuqi, por thotë që zbatimi i tij ka kosto. Për mbajtjen e personave pa vendim gjykate në klinikën që e udhëheq e arsyeton me çështje teknike.
“Ka afër një vit ose më pak që është miratuar ligji për Shëndet Mendor, prej Kuvendit të Kosovës. Mendoj se Klinika e Psikiatrisë është vetëm njëra nga hallkat e implementimit të këtij ligji. Çdo ligj e ka edhe koston buxhetore. Për shembull një telefon me linje të drejt për ta thirrur gjykatën, është kosto është shërbim. Prandaj Klinika e Psikiatrisë i ka disa përpjekje, disa përgatitje për ta filluar implementimin për pjesën e vet të përgjegjësisë. Unë i kam shkruar edhe drejtorit edhe zyrës për çështje juridike të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, dhe me sa e di deri më tani drejtori me koordinatorin e shëndetit mendor e ka pasur një takim me Këshillin Prokurorial të Kosovës për zbatimin e këtij ligji. E di që ka pasur negociata me kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, a si thirret”, thotë Mecinaj për Indeksonline.
Ai ngreh edhe një dilemë për bashkëpunimin në mes institucionit që drejton dhe gjykatës.
“Përndryshe Klinika e Psikiatrisë ka kolegjiumin e vet profesional, ka edhe profesionist eminent, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë. Ne i kemi bërë ato format e gatshme që duhet të plotësohen, format fillestare që duhet ta informojmë gjykatën, por çka nëse gjykata nuk na e kthen përgjigjen për 48 orë”, thotë Mecinaj.
Mecinaj konsideron se disa nga palët që duhet ta implementojnë këtë ligj, nuk e kanë idenë se cka është.
“Unë sa e kuptova deri më tash nuk e kanë fortë idenë çka është ky ligj, ndoshta nuk iu ka ardhur në rend. Ne nuk mund t’ia shpjegojmë gjykatës, as prokurorisë ligjin. Duhet Ministria e Drejtësisë së bashku me të Shëndetësisë, për t’i bërë këto sene, për të ecur përpara. Këta e kanë bërë, sa unë e kuptova të nevojshme organizimin e një tryeze të rrumbullakët, ose vorkshop, si po i thonë, takim a, të gjitha palëve implementuese, në mënyrë që ta dinë për shembull, mjeku im kujdestar kur duhet ta pranojë një person të rrezikshëm që është psikotik, a duhet me mbyll brenda, sepse është i rrezikshëm. D.m.th indikacioni mjekësor dhe human ekziston”, thotë Mecinaj për Indeksonline.
 Mundësia për abuzim
Mecinaj e arsyeton mbajtjen e të sëmurëve mendor, me cështjen humane. Ai thotë se 99.99 për qind e rasteve kur e rekomandon mjeku, gjykata jep vendim pozitiv.
Mecinaj e pranon se me ligj duhet të jenë tre mjek kur bëjnë pranimin e një pacienti që mbahet pa vetdëshir. Por ai thotë se nuk i kanë tre mjek pas dite.
“Dhe mos harroni 99.99 për qind të rasteve gjykata e aprovon, kur thotë mjeku ekspert, ky person duhet të mbyllet të trajtohet sepse nuk bën ndrysh, 99.99 për qind gjykata jep pozitiv vendimin, ekziston mbulesë ligjore. Është njëfarë shkelje e vogël, por shkelje e madhe kish me qenë mos me pranu hiq, le ta vret dike, ose le ta shkel automjeti. Mjeku pranues e bën pranimin, ndërsa me ligj është e parapa që tre mjek ta verifikojnë, por ne nuk i kemi pas dite tre mjek që kujdestarojnë. Mëngjes referon mjeku kujdestar, që e ka mbyllur pa vendim gjykate, automatikisht krijohet komisioni që e verifikon dhe unë e nënshkruaj për t’ia dërguar gjyqtarit miratimin. Në perëndim gjyqtari vjen në klinikë, për të qenë më ekspeditiv. Ti e dinë si janë gjykatat te na, ja shkruan një letër sot, ta kthen pas një muaji. Avokati i Popullit thotë me lëshu pas tri dite se ia ke shkel të drejtat, por ku me qit ata. Të mirën për pacient po e bëjmë. Për me ligj, e dimë që një aspekt kemi shkelje, ndoshta me vetëdije po e shkelim. Por cila ja vlen më shumë. Gjykatësi sot e premte, nuk punon, dërgo ti në shtëpi”, thotë Mecinaj për Indeksonline.
Mecinaj thotë se në  Klinikën e Psikiatrisë janë gjithsej 14 krevate që trajtohen personat pa dëshir. Ai thotë se këta krevate nuk plotësohen pothuajse asnjëherë, ndërsa një pjesë janë pa vendim gjykate e pjesa tjetër me vendim.
“Ne gjithsejtë i kemi 14 krevat në atë pjesën e mbyllur. Aktualisht nuk kam statistika, sepse dje jam kthyer nga rruga, por nuk ka shumë, nuk plotësohen ata krevat. 14 nuk i kemi kurrë. 6,7,8  më së shumti. Prej tyre dy ose tre mund të jenë me vendim gjykate dhe dy ose tre pa vendim gjykate. Por gjithmonë është ajo arsyeja humane dhe profesionale. Unë e pranoj se kemi mangësi, por në atë pjesën tonë jemi duke punuar me kolegët e mi, me shefa të repartit”.
Mecinaj është i vedijshëm që mund të ketë punë me prokurorinë, por për mbajtjen e personave kundërligjshëm ka arsyetime.
“Po qysh s’mundem. Në perëndim i sakatojnë. Jam shumë i vedijshëm. Unë jam drejtor, por pa e pasur pjesën juridike që me ec procedura. Me ditë më së pari mjeku kujdestar ku e ka telefonin, cilin gjyqtar me thirr, cili gjyqtar është kujdestar, ose në cilën zyre me thirr. Ai mundet e than bëje kërkesën dhe nesër e shqyrtojmë”.
Kur Mecinajë shtë pyetur nëse e marrin në pyetje prokuroria, ai ka thënë se edhe kjo e fundit mund të gjendet në faj për mos zbatimin këtij ligji.
“Mund të gjendet edhe vetë në atë vorbull, po supozoj. Sepse ky ligj nuk implementohet vetëm në një institucion. Të gjithë ne mund të dalim të akuzuar nesër”, thotë Mecinaj.
Mecinaj ankohet se nuk dinë kujt t’i drejtohet për një vendim gjykate dhe kritikon këto të fundit për mos efikasitet.
“Po ndoshta nuk e kanë parë hiq. Po them ndoshta. Çfarë kujdestarie organizon Këshilli Gjyqësor i Kosovës? Kujt me iu drejtu? Të krijohen disa mundësi teknike dhe të dihet kujt me iu drejtu edhe me ditë edhe ata që duhet ta japin fidbekun shumë shpejt. Vijnë vendime të gjykatës, janë nisur para një muaj”.
Përgjigja e Gjykatës Themelore
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, ka thënë për Indeksonline se nuk e dinë një rast kur është kërkuar dhe gjykata është vonuar. Ai ka mohuar që institucioni që drejton ka pasur ndonjë problem me implementimin këtij ligji. Ai ka thënë se gjykata nuk mund të lëshojë një vendim pa pasur kërkesë.
“Nuk jam në dijeni për asnjë rast në lidhje me ato çështje që janë shtruar para gjykatës dhe nuk është vendos, apo që ne jemi vonuar diçka. Nuk di unë, s’jam në dijeni fare. Gjykata për 24 orë vendos shumë lëndë. Po e them edhe një herë, gjykata nuk është ajo që del dhe mbledh njerëz rrugës, gjykata nuk është ajo që vendos pa pasur një kërkesë ndonjë procedurë, gjykata vepron kur merr kërkesë dhe kur ka për çka të vendos. Përgjigja e Gjykatës është kjo”, ka thënë Ibrahimi për Indeksonline.
Indeksonline e posedon një listë me persona që janë mbajtur në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, por për shkqe etike nuk do ta publikojë. Në këtë listë ka persona që janë mbajtur pa vendim gjykate nga 1 deri në 26 ditë.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, Neni 196, Privimi i kundërligjshëm i lirisë, pika 1 thotë se “Kushdo që personin tjetër në mënyrë të kundërligjshme e burgosë, e mban të mbyllur ose në ndonjë mënyrë tjetër e privon nga liria, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. 2.Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet në një apo më shumë prej rrethanave në vijim, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në 5 vjet: 2.1. kur vepra kryhet ndaj viktimës së ndjeshme”.
Rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe heshtja e Ministrisë së Shëndetësisë
Avokati i Popullit rekomandon se shfaq shqetësimin se personat me probleme mendore nuk trajtohen me përgjegjësi profesionale. Po ashtu i rekomandon Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për ngritjen e nivelit etik.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës të nxjerrë një udhëzim, me të cilin do t’i njoftojë të gjitha institucionet shëndetësore për detyrat dhe përgjegjësitë që kanë, kur përballen me raste të trajtimit të personave me çrregullime mendore si dhe t’i obligojnë ato që të veprojnë në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor. Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për ngritjen e nivelit etik dhe profesional të personelit dhe të kërkojë nga punëtorët shëndetësor që t’i trajtojnë pacientët me përgjegjësi dhe profesionalizëm maksimal, duke u ofruar shërbime shëndetësore profesionale dhe duke i mbikëqyrur gjatë gjithë orarit të punës, derisa personat e tillë gjenden në institucionin shëndetësor”, thuhet në rekomandimet e Avokatit të Popullit.
Ndërsa Indeksonline ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, për mos zbatimin e ligjit për Shëndetin Mendor, por kjo e fundit nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img