-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Kuvendi miraton rezolutën për unitet politik dhe qytetar në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së

Katër ditë para se të intervistohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga Prokuroria Speciale në Hagë, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme plenare kanë miratuar projekt-rezolutën për unitet politik dhe qytetar në mbrojte të vlerave të luftës së UÇK-së.

Kjo rezolutë u përkrahë nga të gjitha partitë politike, përveç grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Deputetët e kësaj të fundit insistonin që kjo rezolutë të harmonizohet dhe bashkërendohen edhe me grupin parlamentar të tyre. Por një gjë e tillë nga inicuesja deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi insistojë që kjo të votohet sot.

Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi duke kërkuar harmonizim në tekstin e rezolutës, tha se deputetët që e kishin votuar Gjykatën Speciale tash po përdorin standarde të dyfishta.

“Pse nuk kërkuat unitet edhe në 2015 për të mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së, por kërkonit unitet për të kundër për të votuar Gjykatën Speciale. A nuk ishte UÇK-së e pastër edhe kur kërkonit që kjo gjykatë do të pastrojë luftën e drejt të UÇK-së. Pra nuk e sollëm vet këtë gjykatë që tash po ankohemi. Nuk do të duhej të kishte standarde të dyfishta askush kur bëhet fjalë për një gjë kaq të rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për luftën e drejtë”, tha ai.

E, Selimit i reagoi, inicuesja e rezolutës, Mirlinda Sopi-Krasniqi e cila i kërkoi atij të bëhen bashkë në raport në Serbinë.

“Po kërkojë nga ju sot që të bëheni ferë dhe t’i leni fjalët boshe. Hajdeni të bëhemi bashkë dhe unik kur të bëhet fjalë për çështjen kombëtare në raport me Serbinë”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj tha se pas propozim-aktakuzave ndaj dy liderëve të UÇK-së është mundësi e fundit për unitet për të dëshmuar bashkimin karshi Serbisë.

“Sot nuk mendoj që është momenti më i përshtatshëm që të hedhim gurë nga njëri tjetër se kush ka më shumë faj, apo meritë në këtë situatë që jemi. Një aktakuzë, apo tendencë për me u ngritë, nga një prokurorë i cili e publikon akoma pa u konfirmuar është shkelje flagrante. Ky kuvend e ka përgjegjësinë me trajtu këtë sjellje, po ashtu edhe ftesa që i ka ardhur presidentit është në të njëjtën kohë, pasi është dorëzuar aktakuza, edhe këtu ka shkelje… është moment historik të bashkohemi forcat të dëshmojmë se jemi unik përballë Serbisë sepse drejtpërdrejt kemi punë me Serbinë”, tha ai.

Pro kësaj rezolute u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

“Uniteti është i nevojshëm dhe kurrë nuk është i tepërt dhe kurrë nuk është vonë të kërkohet unitet për çështje të caktuara. Prandaj ashtu siç e përkrahëm për t’u futur në rend të ditës, GP i PDK-së do të përkrahë edhe në votim”, tha ai.

Por reagimeve kundër LVV-së iu kundërpërgjigj, deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu i cili tha se janë të gatshëm gjithherë për një rezolutë në mbrojtje të UÇK-së.

“Unë po ju sigurojë që LVV-ja edhe deputetët e saj dhe unë personalisht jemi të gatshëm që në këtë kuvend të sjellim rezolutë në frymë që e kemi pasur përherë. Në lidhje me luftën e UÇK-së dhe Gjykatës Speciale”.

REZOLUTË PËR UNITETIN POLITIK E QYTETAR NË MBROJTJE TË VLERAVE TË POPULLIT TË KOSOVËS

Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson faktin se në Kosovë shteti serb ka kryer spastrim etnik, duke dëbuar në mënyrë të organizuar rreth 1 milion qytetarë; ka vrarë mbi 12.000 civilë, në mesin e të cilëve mbi 1300 fëmijë; ka kryer më shumë se 400 masakra; ka dhunuar rreth 20.000 gra dhe vajza; si dhe ka shkatërruar pasurinë e qytetarëve, monumentet kulturore, fetare e historike dhe infrastrukturën e Kosovës.

Kuvendi i Republikës e Kosovës kërkon që domosdoshmërisht të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë e çështjes së të pagjeturve, të cilët janë zhdukur si rezultat i veprimeve agresore të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ia rikujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20 vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, si dhe qasjen e vazhdueshme refuzuese të Republikës së Serbisë ndaj këtyre kërkesave. Kuvendi i Republikës së Kosovës ri-përsërit thirrjen për drejtësi të plotë dhe vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimit të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës. Heshtja ndaj këtyre krimeve, në Kosovë kuptohet si amnisti dhe tolerim ndaj krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë, dhe si privim ndërkombëtar i kërkesave dhe veprimeve për ndëshkimin e kriminelëve të shtetit serb që kryen krime çnjerëzore në Kosovë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton qasjen selektive ndaj krimeve të shtetit serb në Kosovë, duke mbrojtur agresorin dhe duke gjykuar viktimën, si dhe sjell në vëmendje rastet e inskenuara të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës, siç është rasti i njohur si “Panda”, dhe shumë raste tjera të ngjashme. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton sakrificat e mëdha të popullit të Kosovës, të brezave të tërë, për liri dhe pavarësi, dhe i konsideron të papranueshme tentimet e shtetit serb që me fabrikime të përpiqet ta rishkruajë historinë e Kosovës.

Republika e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e gatshme për ta vërtetuar drejtësinë e luftës mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe është edhe sot e gatshme ta bëjë të njëjtën gjë me Dhomat e Specializuara. Pastërtia e luftës së UÇK-së është vërtetuar disa herë në proceset e zhvilluara nga mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, siç janë UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, EULEX-i dhe drejtësia vendore.

Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi sakrificën e popullit të Kosovës, të drejtën e saj legjitime për pavarësi dhe vetëvendosje, rezistencën paqësore, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vullnetin dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit, bazuar në të drejtën ndërkombëtare të vërtetuar edhe sipas vendimit të GJND-së. Republika e Kosovës ka shpallur pavarësinë dhe ka ndërtuar shtetin, duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare në kuptimin më afirmativ përkitazi me të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Përkundër agresionit serb, qasjes jo bashkëpunuese të Republikës së Serbisë dhe dëmeve njerëzore e materiale të Republikës së Kosovës të shkaktuara nga shteti serb, Republika e Kosovës ka treguar vazhdimisht gatishmëri dhe bashkëpunim, me qëllim të vendosjes së paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës respekton Dhomat e Specializuara dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës dhe rregullave ndërkombëtare të funksionimit të saj, dhe që këto Dhoma të jenë fer e të paanshme në trajtimin e të gjitha lëndëve.

Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.

Kuvendi i Republikës së Kosovës e sheh të domosdoshëm unitetin politik e qytetar, për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës, duke ritheksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë. Ky unitet politik e qytetar, që ka për synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me Rendin Kushtetues të Kosovës, ri-konfirmon përkushtimin për bashkëpunim dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, si dhe përkushtimin për fqinjësi të mirë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img