4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Veterani i UÇK-së, i pashpresë: Do t’i largoj fëmijët nga Kosova

Fotoja e tij bëri xhiron e botës, megjithatë 21 vite me pas, vetarani i UCK-së shprehet i zhgënjyer me trajtimin dhe mbështetjen e marrë nga shteti teksa të ardhmen e fëmijëve e sheh larg vendit për të cilin luftoi. Ka vite që kjo kioskë e improvizuar si dhomë shërben si strehë për Veli Morinën, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

52-vjeçari nga Gllareva e Klinës mban të varura në mur dy uniforma që i kishte veshur para dy dekadash: atë të UÇK-së dhe tjetrën të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ku shërbeu për një kohë më të shkurtër. Megjithatë, strehë për Veliun, gruan dhe tre fëmijët e tij shërben edhe kjo shtëpi e vogël, pronë e xhaxhait të tij.

“Unë jetoj në këtë barakën këtu, edhe në shtëpinë e axhës (xhaxhait) me familjen. Mirëpo shumicën e kohës rri këtu, sepse e di që është e imja, rri më lirë.”, tha Morina.

Vite më parë një mërgimtar bamirës nisi ndërtimin e një shtëpie të re për Veli Morinën, por punët mbetën në gjysmë në mungesë fondesh. Pos pagës së veteranit, prej 170 eurosh, ish-luftëtari mbijetesën e siguron edhe nga mbledhja dhe shitja e kanaçeve.

“Unë jetoj vetëm me kanaçe, dal i mbledh kanaçet nëpër rrugët e Klinës, në mbeturinat e Klinës, vetëm për të mbijetuar. Jo për të jetuar, por vetëm për të mbijetuar. Sepse mbi një euro e gjysmë ose dy nuk mund t’i fitoj në ditë, sepse 80 copë kanaçe duhet t’i grumbulloj për një kilogram. Tani është vera, del drita herët, në ora gjashtë dal nga shtëpia deri në tetë, tetë e gjysmë në mbrëmje nuk kthehem, deri të terrohet.”, tha ai.

Biçikleta i shërben si mjet pune teksa mbledh metale në skajet e rrugëve, ndërsa makinat përbëjnë rrezik për të.

“Vështirë është boll, rrezik është boll, tani janë shtuar makinat ka ngarkesa shumë të mëdha, mirëpo duhet me i bë ballë jetës. Kam patur njëherë një aksident, njëri më ka shkelur me veturë, mirëpo kam pasur fat, kam shpëtuar. Tani prapë duhet me dalë, sepse kur është çështja te fëmijët, me siguruar të paktën bukën e gojës duhet me dalë prapë.”, shtoi ai.

Veli Morina është i zhgënjyer që ish-shokët e luftës që zunë pozita udhëheqëse nuk i ndihmuan në kërkesat e tij minimale për punësim.

“Komandantët, shokët, asnjë nuk ma kanë gjetur një vend pune. Dhe u kam thënë, gjemani një punë me pastru qytetin, kontejnerët me i vendos në kamion, por as aty nuk më kanë ofruar punë. Unë nuk u kam lyp punë që nuk mund ta përballoj, çka s’mund ta kryej, për çka nuk kam shkollë, edhe aty nuk më kanë ofruar punë. S’e kam besur që na e bëjnë këtë komandantët”, shtoi ai.

Në pamundësi për të paguar faturat mujore të energjisë elektrike atij i është akumuluar një borxh prej rreth 1700 eurosh, për çka përmbaruesi privat i ndalon gati gjysmën e pagës së veteranit.

Për më tepër, ai tregon se në muajin mars të këtij viti, pikërisht për shkak të borxheve, Gjykata në Klinë i ka dhënë dënimin me dy vjet burgim me kusht.

“Dënim me burg (me kusht), ja ku është këtu dënimi nga gjykata, dy herë nga një vit. Ja ku e kam këtu edhe një vendim tjetër. Gjykata në Klinë më ka dënuar dy herë nga një vit, për shkak se nuk po mund ta paguaj faturën e fundit të rrymës (energjisë elektrike). I kam borxhe rreth 1600-1700 euro. Përmbaruesi privat mi ndalon 72 euro, plus këta po më thonë që ta paguaj edhe faturën e fundit, unë nuk mund t’i përballoj dy fatura.”, shton ai.

Problemet e tij nuk mbarojnë këtu, pasi Prokuroria i kishte vënë emrin e tij në listën e veteranëve të dyshimtë. Megjithatë, Morina ka ofruar dëshmitë e tij për shërbim në Brigadën 113, përkrah Mujë Krasniqit, dhe është në pritje të vendimit.

“Ja këtu e kam një fotografi me Mujë Krasniqin, në Murg. Unë jam ky i pari. Mujë Krasniqi ka qenë komandant i Brigadës 113. Edhe këtë (foton) tjetër e kam me të në Murg. Këto fotografi i kam nxjerrë nga arkivi i UÇK-së në Prishtinë. Edhe këtu, ky prapa jam unë”, tregon veterani.

Ai ndihet keq që ky problem për të dhe shumë luftëtarë të tjerë, vjen si pasojë e keqpërdorimeve nga ata që nuk ishin fare në luftë.

“Nuk ndihem mirë. Nuk ndihem mirë. Këtë dokument e kam tani që e kam bërë më 2015, që tregon se jam veteran. Mirëpo, këtë lloj dokumenti e kanë edhe disa veteranë të rrejshëm. Qysh e kanë marrë ata e dinë? Unë nuk e di qysh kanë patur mundësi ta marrin”.

I dëshpëruar, ai flet për ish-bashkëluftëtarë të tjerë në gjendje të rëndë ekonomike e sociale, disa prej të cilëve i kanë dhënë fund jetës.

“S’e kam besuar, sepse ka veteranë që i ka ndoshta kushtet më të vështira se të miat, por nuk flet dhe nuk guxon me fol, disa edhe nuk flasin vetë. Por disa aq shumë e kanë ngushtuar vetën sa kanë bërë edhe vetëvrasje, janë varë në litar. Unë nuk dua ta çoj veten deri aty, sepse me atë punë nuk bën asgjë. Më mirë është me u shpreh, me fol, të punosh, me bë  çdo punë vetëm mos me arrit deri te më e keqja. Mirëpo, duhet punë. Unë s’kam besuar që na lënë komandantët kështu.”

Ish-ushtari i UÇK-së thotë se kjo nuk është Kosova për të cilën ai luftoi dhe e ëndërronte, teksa po pret që dy djemtë e tij, 16 e 17 vjeç, të mbushin të 18-tat për t’i nisur drejt Italisë.

“Unë e kam paramenduar atëherë që nuk kemi me dalë jashtë shtetit asnjë, asnjë i ri jashtë shtetit. Por, unë tani dita-ditës po mendoj që dy fëmijët t’i çoj azil për të ri në Itali, sepse fëmijët kanë dy nënshtetësi, i kanë pasaportat shqiptare, sepse unë e kam gruan nga Shqipëria. Pritet që dita-ditës t’i heq fëmijët e mi, e t’i dërgoj në Itali, azil për të ri.”, rrëfen Morina.

Veli Morina është i vetëdijshëm se mesazhi i tij është i rëndë, por 21 vjet pas mbarimit të luftës ai ka humbur shpresën.

“Shumë e rëndë është, por kur ua them fëmijëve të mi, të tjerëve çka mundem (t’u them)? Fëmijëve të mi, që i kam rritur me njëqind vështirësi, me njëqind vuajtje, prapë fëmijët e mi, djemtë e mi, si u bën (rritën) të më ndihmojnë, duhet t’i tërheq nga Kosova t’i çoj në Itali, sepse nuk ka tjetër rrugëzgjidhje. S’ka! Për në Kosovë më ka humbur shpresa dhe nuk dua ta pësojnë fëmijët sikur unë”, tha ai.

Në gjysmën e parë të viteve ‘90, Morina ka kryer dy vjet e gjysmë burg, për shkak se u kishte ndihmuar të rinjve të Kosovës të kalonin ilegalisht në Shqipëri për t’i ikur shërbimit ushtarak të ish-Jugosllavisë, pasi nga aty shumë shqiptarë u kthyen në arkivole. /Euronews.al/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img