Pas provës së parë javë më parë, Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë me provën e dytë të përgatitjes së protestës në sheshet e Prishtinës.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka konfirmuar për Telegrafin se sot në provë planifikojnë të jenë nga 3 mijë e 500 persona deri në 5 mijë.
“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, deklaroi ai.
Kujtojmë se në provën e parë të protestës, më 12 maj ishin përafërsisht 500 persona, të cilët ishin më maska, dorëza dhe mbanin distancë sociale.
Ndryshe, edhe Policia e Kosovës do ta lejojë Lëvizjen Vetëvendosje që sot të mbajë provën e dytë të përgatitjes për protestë.
Këtë e kanë bërë të ditur për Telegrafin zyra e medieve në Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”.