Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se do të dorëzojë në prokurori një padi kundër presidentit të vendit, Hashim Thaçi për deklaratën e tij të bërë sonte gjatë intervistës në RTV Dukagjini.
Haxhiu tha se Thaçi është president shpifës, i cili do të përgjigjet për akuzat e bëra ndaj familjarëve të saj, për posedimin e një laboratori droge.
“Thaçi ka humbur toruan! President shpifës që do të përgjigjet për akuzat e rënda. Ai tha se familjarët e Albulena Haxhiut kanë laborator droge! Qysh nesër do të deponojmë padi për këtë shpifës të paskrupullt”, shkruan Haxhiu.
Ajo gjithashtu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se prokuroria nuk duhet të qëndroj e heshtur ndaj akuzave që presidenti po i bën.
“Në anën tjetër prokuroria nuk duhet të qëndroj e heshtur karshi këtyre deklaratave të tij! Duhet ta thërras për dëshmi”, shkruan Haxhiu.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë intervistës së tij ka akuzuar ministren e Drejtësisë se është e përfshirë në laboratorët të drogës.
“Bërja publike e involvimit direkt, e familjarëve të saj në laboratorët e drogës, nga Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, imagjinojeni, është shqetësuese. Ajo dhe familjarët e saj, jo nuk e kam ngatërruar, e kam për ministren e Drejtësisë”, tha Thaçi gjatë intervistës.