Publicisti Milazim Krasniqi ka reaguar pas deklaratës së ushtruesit të detyrës të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla i cili tha se Krasniqi qëndron prapa thirrjeve për organizimin e një proteste, shkaku i mos hapjes së xhamive.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është një gënjeshtër dhe është e pakuptueshme dhe e turpshme sesi gënjen një zyrtar i lartë i qeverisë.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Deklarata e Xhelal Sfeqles se gjoja unë qëndroj pas ndonjë thirrjeje për të falë namaz në shesh është qind për qind gënjeshtër. Është e pakuptueshme dhe e turpshme që të gënjejë në këtë mënyrë një zyrtar i lartë i qeverisë. Asnjë thirrje të tillë, asnjë organizim të tillë nuk kam ftuar, as nxitur asnjëherë. Unë kam shprehur qëndrim publik se duhet të hapen xhamitë, me kujdes e me zbatim të rregullave, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut. Ndaj qëndrimit tim BIK ka reaguar me një deklaratë nervoze dhe poashtu të pakuptimtë. Tash qenkan bërë bashkë myftiu Tërnava e Xhelal Sfeqla, në një fushatë e ndjekje të përbashkat e të pandershme. Nuk u bën nder kjo gjë, as njërit, as tjetrit. Edhe nuk mund të më frikësojnë. Ministri Sfeqla dhe qeveria duhet të gjejnë zgjidhje për problemet e rënda ekonomike, shëndëtësore, sociale e gjithfarë që po e rrënojnë vendin e shoqërinë e të mos përhapin dezinformata e gënjeshtra të tilla si kjo e Xhelal Sfeqlës. Thjesht, nuk qeveriset me gënjeshtra. Dështimet e qeverisjes së Kurtie Sfeqles nuk mund të mbulohen me fushata kundër njerëzve të ndershem. Përkundrazi ato dështime vetëm sa bëhen edhe më të tejdukshme.