Kullat e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, e shumë komplekse memoriale në Kosovën e pasluftës, po vazhdojnë të jenë në gjendje jo të mirë. Këto të fundit ende nuk janë të konservuara, e ndër të tjera nuk kanë kujdesin e merituar. Për këto komisioni për Bujqësi po kërkon që komiteti ndërministror por edhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të veprojë sa më shpejtë.
Advertisement
Në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, i cili zgjati më shumë se dy orë sot, sipas nënkryetarit Bajrush Xhemajli është diskutuar gjatë për vonesën e këtyre punimeve në komplekset memoriale.
“Sot në Komisionin tonë raportoi drejtori për Agjencinë për Komplekse dhe Memoriale, zotëri Bislim Zogaj. Dhe shqyrtuam materialin të cilin e kemi pasur për të shqyrtuar si raport vjetor, por edhe e kemi bërë edhe një debat interaktiv. Ku në shumë aspekte u shqyrtua dhe u trajtua si agjencion për punën një vjeçare. Ne e votuam për ta proceduar më tutje këtë raport, për shkak se menduam se është punuar vërtetë shumë. Por, ka pasur edhe probleme të vazhdueshme në shumë segmente”, tha ai.
Ai ka përmendur edhe gjendjen e kompleksit memorial “Adem Jashari”, sa i përket konservimit të shtëpive të rezistencës, për çka tha se komiteti ndërministror por edhe agjencia duhet që sa më shpejtë të veprojnë, në mënyrë që këto kulla mos të mbesin ashtu.
“Kishim vërejtje në kuptimin që memorialët e shumta që janë nuk po kryhen ashtu siç punime që kanë filluar. Dhe për ngecjet e tyre drejtori na dha informacione të mjaftueshme. Ne kërkuam që këto të përshpejtohen sidomos sa i përket Kullave të Jasharajve që të bëhet një menaxhim më i fuqishëm, dhe më i mirë. Por edhe të punohet më tutje projekti i cili ka filluar për mirëmbajtjen e tyre”, theksoi ai.
Në mbledhjen e këtij komisioni, Xhemajli tha se është diskutuar edhe për të burgosurit politik, për çka tha se është diskutuar se ish-burgu i Prishtinës të mbetet shenjë për gjithë të burgosurit politik. /KP/
PostAdss