1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Vonë apo herët? Këto janë disa nga strategjitë për dalje nga “izolimi i coronavirusit”

Derisa dhjetëra vende të botës kanë nisur të lehtësojnë masat e izolimit ndaj coronavirusit, qeveritë përballen me zgjedhje të vështira midis luftimit të pandemisë dhe kohës kur t’i lejojnë njerëzit që t’i kthehen jetës normale.

Zyrtarët në secilin vend duan një strategji dalëse, që balancon nevojën ekonomike për t’i kthyer njerëzit në punë, përballë kërcënimit real nga coronavirusi, i cili vazhdon të infektojë dhe vrasë njerëz.

Nëse kufizimet vazhdojnë t’i detyrojnë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe bizneset të qëndrojnë të mbyllura, ekonomitë do të vazhdojnë të vuajnë, duke krijuar nevoja urgjente sociale, rritje të papunësisë dhe thellim të varfërisë.

Por, edhe rikthimi i njerëzve në punë shumë herët do të thotë se më shumë mund të sëmuren dhe të vdesin.

Ekspertët mjekësorë po ashtu paralajmërojnë se heqja e shpejtë e kufizimeve mund të shkaktojë një valë të dytë të infeksioneve vdekjeprurëse dhe të zmbrapsë përparimin e bërë nga izolimi në muajt mars dhe prill.

Në planin afatgjatë, kjo mund të nënkuptojë edhe më shumë kaos ekonomik, nëse zyrtarët që nxitojnë me heqjen e kufizimeve, do të duhet t’i rivendosin ato në të ardhmen.

Dalja nga izolimi me përgjegjësi

Në mes të prillit, një grup i ekspertëve të shquar mjekësorë në Belgjikë ka publikuar disa rekomandime në revistën “Nature Medicine”, për, siç ka thënë, “sfidën më të vështirë shëndetësore që nga fillimi i këtij shekulli”.

Udhëzimet mbështeten në, siç thuhet, ”tri përpjekje plotësuese dhe të vazhdueshme”.

Strategjia e tyre për heqjen e masave kufizuese ngre “një numër sfidash, që do të jenë më të vështira për t’u adresuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sesa në vendet me të ardhura të larta”.

“Së pari, masat e distancimit shoqëror duhet të mbahen, për të zvogëluar transmetimin e përgjithshëm deri në atë pikë saqë spitalet të mund të përballojnë numrin e pacientëve”, thonë ekspertët mjekësorë.
Së dyti, sipas tyre, sistemet shëndetësore duhet t’i “përmirësojnë masovikisht” aftësitë e tyre për zbulimin e virusit dhe identifikimin e atyre që kanë zhvilluar imunitet.

Dhe, së treti, autoritetet duhet të aktivizojnë “fuqinë punëtore dhe procedurat e nevojshme për testime të vazhdueshme dhe gjurmim të kontakteve në shkallë të gjerë”.

“Këto teste për herë të parë duhet të kryhen te punëtorët që ofrojnë shërbime thelbësore”, si kujdes shëndetësor apo shpërndarje të ushqimeve, thonë ekspertët.

Lëvizja përpara

Elisabetta Groppelli, virologe italiane dhe pedagoge e shëndetit global në Universitetin St. George në Londër, thotë se nuk është e befasuar që vendet po u japin fund izolimeve përpara se të gjendet vaksina për coronavirus.

Groppelli thotë për Radion Evropa e Lirë se izolimet nuk janë “zgjidhje afatgjate”.

“Izolimi është i ndryshëm në vende të ndryshme, me shije të ndryshme dhe me nivele të ndryshme kufizimesh”, thotë Groppelli.

“Por, është i vështirë. Nuk është i qëndrueshëm në nivel individual dhe, sigurisht, nuk është i qëndrueshëm në nivel vendi”, shton ajo.

Sipas saj, pranimet në spitale dhe njësi të kujdesit intensiv “kanë rënë në mënyrë masive” në vendet më të goditura të Evropës, pas disa javësh në izolim.

“Kjo është ajo që është e rëndësishme kur bëhet fjalë për daljen nga izolimi”, thotë Groppelli.

Dalja graduale e Italisë

Italia është vendi i parë në Evropë që është goditur nga kriza e coronavirusit dhe mbetet një nga vendet më të goditura në botë sa u përket të infektuarve dhe viktimave.

Më 4 maj, ajo ka nisur rihapjen e kujdesshme të ekonomisë, pas tetë javësh në izolim.
Miliona italianë janë lejuar të kthehen në punë këtë javë.

Lehtësimi i masave të izolimit në Itali do të bëhet gradualisht – së paku për disa javë.

Tani për tani, shkollat mbesin të mbyllura, së bashku me muzetë dhe shërbimet brenda restoranteve.

Rregullat e rrepta të distancizimit fizik po ashtu mbeten në fuqi.

Parqet janë rihapur, ndërsa shërbinet e funeraleve lejohen nëse ndiqen nga numër i vogël njerëzish.

Strategjia me katër faza e Spanjës

Spanja, një vend tjetër i goditur në Evropë, ka publikuar një plan katërfazor për të hequr kufizimet, pas disa javësh izolimi të rreptë.

Faza e parë, e njohur si “faza zero”, ka nisur më 4 maj dhe pritet të zgjasë një javë.

Ajo përfshin kohë të caktuar për njerëzit që duan të dalin nga shtëpitë.

Restorantet po ashtu janë lejuar të rihapen, por konsumatorët mund të marrin vetëm ushqime me vete.

Në makina lejohet vetëm një person, pra vozitësi. Ata mund të vozisin vetëm për të blerë gjëra thelbësore, si ushqime apo barna.

Maskat e fytyrës kërkohen në të gjithë transportin publik, ndërsa pasagjerët duhet të ndjekin rregulla të rrepta të distancimit fizik.

Faza e dytë e rihapjes në Spanjë do të nisë më 10 maj, kur edhe skadon “gjendja e alarmit” e qeverisë.

Fazat shtesë të rihapjes më pas do të zhvillohen çdo dy javë, varësisht përparimit në secilin rajon.

Zyrtarët spanjollë thonë se kjo strategji mundëson që “gjendja e re normale ” të fillojë rreth 25 qershorit, por shkollat nuk do të rihapen deri në shtator.

Rihapja e shpejtë në Gjermani

Në Gjermani, ndarja federale e pushteteve nënkupton që kufizimet e koronavirusit ndryshojnë në të 16 landet e vendit.

Megjithatë, Gjermania ka bërë një punë të mirë për të frenuar përhapjen e sëmundjes – veçanërisht në krahasim me vendet e tjera, si: Italia, Spanja, Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.
Por, në javën e fundit të prillit, kancelarja Angela Merkel i ka kritikuar udhëheqësit e landeve të Gjermanisë për hapa të shpejtë drejt rihapjes së ekonomisë.

Dyqanet më të vogla se 800 metra katrorë, që më parë janë konsideruar si jothelbësore, janë lejuar të rihapen më 20 prill, por vetëm me numër të kufizuar konsumatorësh.

Merkel, që atëherë, është pajtuar me autoritetet rajonale për një program për heqjen graduale të kufizimeve. Por, ajo ka paralajmëruar se Gjermania është vetëm “në fillim” të pandemisë , e jo në fazën përfundimtare.

“Le të mos i rrezikojmë ato që i kemi arritur”, ka paralajmëruar ajo.

Sheshet e lojërave, muzetë dhe kishat janë lejuar të hapen përsëri më 4 maj, ashtu si edhe sallonet e flokëve që ndjekin rregulla të rrepta higjienike.

Shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme gjithashtu janë lejuar të kthehen në klasat e tyre më 4 maj.

Shkollat e tjera do të rihapen më 11 maj, me masa të rrepta të distancimit fizik dhe orare të reduktuara.

Kopshtet e fëmijëve dhe qendrat e kujdesit ditor mbeten të mbyllura, së bashku me baret, klubet e natës dhe kinematë.

Vetëm dy njerëz, ose më shumë nëse janë të së njëjtës familje, lejohen të mblidhen jashtë dhe ata duhet të qëndrojnë një metër e gjysmë larg njëri-tjetrit.

Landet gjermane, me më pak raste me koronavirus, lejojnë deri në pesë vetë të mblidhen në grup.

Ministri i Sportit në Gjermani i ka mbështetur thirrjet që sezoni i futbollit të rifillojë në maj – nëse skuadrat u përmbahen rregullave të shëndetit dhe luajnë në stadiume boshe.

Gjermania, me më shumë se 80 milionë banorë, ka regjistruar mbi 167,000 raste të të infektuarve me coronavirus deri më 6 maj, që është numri i katërt më i lartë i rasteve në Bashkimin Evropian.

Por, ajo ka arritur të mbajë numrin e vdekjeve në rreth 7,000, që është vetëm rreth një e katërta e vdekjeve që janë regjistruar në vende si: Spanja, Italia, Franca dhe Britania.

Kjo ka bërë që ekspertët globalë të shëndetit ta shohin qasjen e Gjermanisë drejt rihapjes si një plan të mundshëm edhe për vendet e tjera.

Mbeten të kujdesshëm

E lavdëruar për veprim të shpejtë në frenimin e përhapjes së coronavirusit, Zelanda e Re ka nisur t’i lehtësojë masat e rrepta të izolimit më 28 prill.

Kjo është koha kur zyrtarët e shëndetit kanë thënë se “transmetimi në komunitet” ka pushuar, ndërsa qeveria është zotuar se mund t’i kontrollojë rastet që mund të shfaqen derisa të zbulohet vaksina.

Gjashtë ditë më vonë, më 4 maj, numri ditor i infektimeve të reja në Zelandën e Re ka rënë në zero, për herë të parë prejse ka nisur shpërthimi.

Praktika e distancimit fizik vazhdon në qendra tregtare, kafene dhe parukeri.

Qeveria do të vendosë më 11 maj nëse do t’i lehtësojë më tej masat kufizuese.

“Nuk mund të lejojmë shkatërrimin e punës së deritashme, kur qëllimi ynë përfundimtar është afër dhe i arritshëm”, ka thënë kryeministrja Jacinda Arden.

Në Xhorxhia, infeksionet rriten pas lehtësimit të masave të izolimit

Për dallim nga Zelanda e Re, shteti amerikan i Xhorxhias ka parë një rritje të mprehtë të rasteve të reja, pasi ka hequr disa masa kufizuese në javën e fundit të prillit.

Duke vepruar nën “udhëzimet” e Uashingtonit dhe jo nën urdhrat e detyrueshëm për shëndetin publik, qeveritë shtetërore në SHBA kanë lëvizur me shpejtësi të ndryshme drejt izolimit dhe drejt rihapjes së ekonomisë.

Xhorxhia ka qenë shteti i parë amerikan që ka filluar t’i heqë kufizimet e saj.

Disa biznese jothelbësore në Xhorxhia – përfshirë palestrat, qendrat e fitnesit, sallonet e flokëve dhe kinematë – janë lejuar të rihapen më 24 prill.

Baret dhe restorantet janë lejuar të fillonin përsëri punën më 29 prill.

Por, infeksionet e reja në këtë shtet janë rritur për më shumë se 1,000 në ditë. Më 5 maj, Xhorxhia ka pasur rreth 30,000 të infektuar, përfshirë 1,246 viktima.

Zyrtarët shëndetësorë janë duke vëzhguar nga afër numrin e të infektuarve të rinj atje, si paralajmërim për rikthim të sëmundjes nëse masat kufizuese hiqen përpara se transmetimi i saj të jetë nën kontroll.

Mësimet nga Koreja e Jugut

Koreja e Jugut – vendi i shpërthimit të parë të madh të coronavirusit jashtë Kinës – ka vendosur të nisë me kujdes relaksimin e masave kufizuese, më 20 prill.

Por, ky vend nuk ka përdorur kurrë izolime totale, sikurse vendet e tjera, për të kontrolluar përhapjen e coronavirusit.

Për dallim nga Italia dhe Spanja, Koreja e Jugut nuk ka vendosur orë policore ose nuk i ka ndaluar njerëzit të shkojnë në punë.

Kjo ka bërë që ky vend të cilësohet si model për kontrollimin e sëmundjes, pa e mbyllur ekonominë.
Vetëm një javë pas raportimit të rastit të parë me coronavirus, më 20 janar, qeveria ka urdhëruar prodhimin masiv të testeve për coronavirus.

Në fillim të shkurtit, disa javë para se Italia të futej në izolim kombëtar, Koreja e Jugut ka prodhuar mbi 100,000 teste në ditë dhe ka hapur mbi 600 qendra testimi.

Autoritetet më pas kanë mundur të monitorojnë përhapjen e virusit dhe t’i trajtojnë të infektuarit përpara se shpërthimi të arrinte nivelet e krizës.

Megjithatë, rregulla të rrepta të distancimit fizik dhe disa kufizime të tjera janë vendosur.

Vendimi për të filluar lehtësimin e tyre është marrë, pasi numri i të infektuarve të rinj në Korenë e Jugut është stabilizuar në 20 ose më pak në ditë.

Parqet dhe fushat e golfit kanë qenë të parat që janë rihapur, ndërsa pas tyre edhe qendrat tregtare dhe restorantet.

Shumë jug-koreanë vazhdojnë të mbajnë maska në publik dhe t’iu binden rregullave të distancimit fizik.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img