Me rastin e shënimit në Kosovë, të Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) në Kosovë bënë homazhe për të gjithë personat që ende nuk janë gjetur dhe shprehë zotim për të vazhduar punën krah për krah me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës për zbardhjen e fatit të mbi 1640 personave, që ende mbesin të pagjetur në Kosovë.
“Ne kemi më shumë se 1640 arsye për të vazhduar të punojmë së bashku me homologët tanë nga vendi për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe për dhënin e përgjigjeve familjarëve dhe më të dashurve të tyre, jetët e të cilëve kanë ndryshuar përgjithmonë,” tha Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, Lars-Gunnar Wigemark, thuhet në njoftimin për media.
“Fëmijët, bashkëshortët, prindërit, të afërmit dhe miqtë e personave të pagjetur kanë të drejtë të dinë se çka u ka ndodhur më të dashurve të tyre,” tha Wigemark, duke shtuar se, nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më tani, Misioni ka kryer 651 operacione në teren për gjetjen e vendndodhjeve të personave të pagjetur, çka ka rezultuar në identifikimin e 456 individëve, përfshirë 311 personave të pagjetur.
Duke e theksuar rëndësinë e ADN-së për identifikimin e suksesshëm të personave të pagjetur, Shefi i EULEX-it kërkoi nga familjarët e të gjithë personave të pagjetur që të japin mostra të gjakut për analiza të ADN-së. “Kjo do të lehtësojë procesin e identifikimit,” tha Wigemark, dhe shtoi se EULEX-i gjithashtu do t’iu ndihmojë autoriteteve të Kosovës për shqyrtimin e çështjes së rreth 300 mbetjeve mortore trupore në morgun e Prishtinës.
Sot, EULEX-i do t’i fikë dritat në selinë e tij në ora 20:00 në mbështetje të një iniciative nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Integra, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe forum ZDF-Programi në Kosovë për të shënuar Ditën Kombëtare për Personat e Pagjetur me sloganin “Për 20 vjet në terr – në ora 20:00 ndali dritat për 2 minuta”.