Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur protestë kundër deklaratave të Shkëlzen Gashit.
PDK-ja, dhe disa qytetarë që kanë publikuar video në rrjete sociale kanë lëshuar pikërisht në orën 21:00 “Marshin e UÇK-së” në shenjë proteste kundër Shkëlzen Gashit, këshilltarit tashmë të shkarkuar të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Portesta ndodhi pasi Gashi një ditë më parë tha se udhëheqësit dhe pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer krime dhe kanë vrarë serbë civilë të pafajshëm.
“Këto deklarata dhe mbështetja e Shkëlzen Gashit për raportin e senatorit Dick Martyt kundër UÇK i cili raport është hedhur poshtë nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, ka ngjallur reagime të shumicës së qytetarëve dhe partive politike, me përjashtim të shumë aktivistëve e zyrtarëve të Vetëvendosjes që kanë dalë në mbrojtje të deklaratave të Shkëlzen Gashit”, thuhet në një reagim të PDK-së.
Deklaratat e Gashit kanë ngjallur reagime të shumta në mbarë vendin.
Ndaj deklaratës së këshilltarit të kryeministrit në detyrë kanë reaguar edhe udhëheqës të organizatave të ndryshme, shoqërisë civile, parti politike, deputetë e politikanë.
Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte reaguar pas deklaratës së këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, duke thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare.
Shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë filluar që në fotografinë e tyre të profilit ta vendosin emblemën e UÇK-së si shenjë mbështetjeje për pjesëtarët e saj.