Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konferencë për media ka folur për hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë për menaxhimin e situatës ekonomike pas pandemisë COVID-19.
Rukiqi ka propozuar që në javën e ardhshme Prishtina të largohet nga karantina.
“Prishtina duhet të hiqet nga karantina që nga java tjetër pasi 50 për qind e ekonomisë së vendit është këtu dhe duke parë kapacitetet për menaxhimin e situatës. Në nivel të Kosovës duhet të lejohet puna në sektore që kanë rrezikshmëri të ulët duke përfshirë ndërtimtarinë dhe pjesën e prodhimit. Edhe pse janë të lejuara disa sektorë, komplet prodhimi duhet të lejohet dhe të jetë në kapacitet të plotë”, tha ai para mediave.
Kryetari i OEK, Berat Rukiqi ka folur për hapjen e rrugës drejt ekonomisë, i cili tha se gjatë muajit maj të mundësohet fillimi punës në tërë zinxhirin e shitjes me pakicë, përkatësisht në objekte 800 metra katror.
“Mjetet e Pakos Emergjente të futen në qarkullim sepse ndërmarrjet edhe nëse e fillojnë punën duhet të kenë stabilitet dhe të shtyhet pjesa e pagesave të tatimeve që janë edhe një lehtësi për bizneset që kanë pas vështirësi. Duhet të bëhet hapje graduale e kafiterive, restoranteve dhe transportit me kornizën e mbajtjes së distancës sociale”.
“Deri më 10 qershor të jetë e gatshme korniza e rimëkëmbjes ekonomike e bazuar në analiza për sektorët më të dëmtuar. Në total fondi të jetë 550 deri 600 milionë euro për vitin 2020 dhe 2021 për të pasur një mbështetje ose rimëkëmbje ekonomike”, tha Rukiqi.
Rukiqi gjithashtu ka thënë se kompanitë duhet të përgatiten me masa mbrojtëse, të instalojnë sistem të rregullta të dezinfektimit, të përgatisin hapësirat e punës për ruajtje sociale etj.