Në shenjë të përkrahjes së tyre, sot kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e Ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Emilija Redžepi dhe me kryetarët e komunave përkatëse, ku u nënshkruan marrëveshjet për bashkëfinancimin e projekteve kapitale nga Granti i Performancës Komunale.
Granti i performancës bashkëfinancohet nga fondet publike në kuadër të buxhetit të MAPL-së dhe bashkëfinancohet nga tre donatorë: Qeveria Zvicerane, Qeveria Suedeze dhe Qeveria Norvegjeze. Granti do të mbështesë financiarisht implementimin e 43 projekteve kapitale të 23 komunave përfituese të cilat kanë arritur t’i përmbushin kriteret kualifikuese.
Komunat në të cilat do të shpërndahen këto grante janë: Pejë, Junik, Lipjan, Gllogoc, Kaçanik, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Vushtrri, Hani i Elezit, Klinë, Rahovec, Shtime, Skenderaj, Gjakovë, Suharekë, Malishevë, Viti, Graçanicë, Kllokot, Ranillug, Shtërpcë, Mamushë, dhe Leposaviq. Për vitin 2020, ky grant, është në shumë prej 4,9 milionë euro. Këto marrëveshje janë vijimësi e veprimeve tona për maksimizim të mbështetjes së institucioneve lokale për shkak të rolit dhe funksioneve të tyre, që për shumë njerëz janë primare dhe të vetmet pika të kontaktit të drejtpërdrejtë me shtetin.
Veç tyre, Rregullat e Grantit parashohin një shumë shtesë prej 10% të totalit të grantit për 3 komunat me performancën më të mirë në ofrimin e shërbimeve. Si rrjedhojë, 3 komunat që kanë arritur numrin më të madh të pikëve sipas performancës janë: Komuna e Pejës – vendi i parë; Komuna e Junikut – vendi i dytë dhe Komuna e Lipjanit – vendi i tretë.
Marrë parasysh veçantinë e grantit dhe kritereve të shpërndarjes, të cilat nuk bëhen sipas qasjeve preferenciale, por ndarje me themel meritor, ne do të vazhdojmë të ndjekim këtë mënyrë të përkrahjes së komunave, t’i nxisim autoritetet lokale për masa të reja produktive, qeverisje më të mirë, më transparente, më përfshirëse dhe më cilësore në ofrimin e shërbimeve.