Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë seancës së votimit të mocionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në mënyrë të tërthortë bënte përgjegjëse SHBA’në për zhvillimet duke thënë se një seancë e tillë për rrëzimin e tij nga pushteti është si rezultat i përpjekjeve për arritjen e një marrëveshje sekrete për të cilën Thaçi dhe Vuçiq janë pajtuar në Washington.
Megjithatë tashmë gjuha e Kurtit pas rrëzimit është ashpërsuar edhe më tepër. Ai tashmë është i drejtpërdrejtë. Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës në një intervistë për dy gazetarë boshnjak ka akuzaur në mënyrë të drejtpërdrejtë emisarin e Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se ka dorë në prishjen e qeverisë që udhëhiqte.
Një deklaratë e tillë e Kurtit ka zënë faqet e mediave me të mëdha të botës.
Prestigjiozja amerikane “Neë York Times” në titull ka vendosur “ Kryministri i Kosovës akuzon emisarin e SHBA’së për rrëzimin e qeverisë së tij”.
Artikullin e gazetës amerikane e ka shpërndarë ndërkohë edhe faqja zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje në llogarinë zyrtare në twitter.
Një deklaratë e tillë e Kurtit ndaj emisarit të Trumpit ka rënë edhe nën llupën e gazetës londineze “The Guardian”.
“Kryeministri në detyrë i Kosovës akuzon të dërguarin e Trumpit për ndërhyrje”, është titulli i prestigjiozes nga Britania e Madhe, raporton Gazeta Express.
Një deklaratë e tillë e Kurtit është bërë lajm edhe në “Euronews”.
“Kryeministri i Kosovës thotë se i dërguari amerikan është përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij”, është titulli i “Euronews”.
Që nga marrja e postit të kryeministrit, raportet mes Kurtit dhe administratës amerikane kanë shkuar duke u përkeqësuar. Refuzimi i Kurtit për heqje të taksës pa kushte shtesë, ka shtyrë partnerin e koalicionit që t’i organizojë në Kuvend një mocion mosbesimi i cili u përkrahë nga 2/3 e deputetëve në Kuvend.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonin se nuk dëshirojnë të qëndorjnë në një qeveri anti-amerikane.
Ndërkohë Kurti ka vazhduar me deklarime e tij kundër Amerikës. Në një intervistë për një media kosovare teksa ka arsyetuar masën e tij të reciprocitetit dhe kërkesën amerikane për heqje të një mase të tillë ka thënë se Kosova nuk është në kufi me Meksikën.
Ndërkohë në një letër-këmbim me emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, Kurti ka thënë se Evropa s’mund të zëvëndësohet nga asnjë kontinent tjetër meqenëse sipas tij e ardhmja e Kosovës është pikërisht në Evropë.
Lidhur me deklarime të tillë të Kurtit mbrëmë ka folur edhe Kujtim Shala i LDK’së. Ai ka thënë se deklarime të tilla janë të papranueshme, siç janë të papranueshme edhe deklarimet dhe sulmet e presidentit Hashim Thaçi ndaj Bashkimit Evropian.
Shala gjiashtut në një intervistë për Pressing të T7 ka zbuluar edhe detaje të diskutimeve me zyrtarë të lartë të SHBA’së, përfshirë ambasadorin Grenell.
Siç ka thënë Shala, Albin Kurti ka qenë i papranueshëm për administratën aktuale amerikane për të përfaqësuar Kosovën në dialogun e drejtuar nga SHBA’të. Ai ka thënë se edhe kjo ka qenë një prej arsyeve pse Lidhja Demokratike e Kosovës është larguar nga një qeveri e tillë./Express/