Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka bërë një kërkesë për Komisionin hetimor parlamentar që të hetohet urgjentisht pranimi i njëmijë testeve si ndihmë humanitare nga Serbia.
Harainaj, gjithashtu ka kërkuar që të merren masa kundër pranuesve të testeve nga Serbia, sepse janë shkelur të gjitha normat dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ai i ka bërë thirrje Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, që t’i hedhë në mbeturina publikisht ato teste dhe të pezullojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës derisa kjo e fundit të merr masa ndaj atyre që pranuan këto teste dhe t’i shkarkojë nga pozita pranuesit dhe urdhëruesit të tyre.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“KËRKESË;
KOMISIONIT HETIMOR PARLAMENTAR
Të hetohen urgjentisht pranimi i njëmijë testeve si ndihmë humanitare nga Serbia, të cilat i dënojmë ashpër dhe kërkojmë të mirren masa kundër pranuesve të testeve nga Serbia, sepse janë shkelur të gjitha normat dhe ligjet e aplikushme në Kosovë, pranusi i këtyre testeve Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Qeveria Kurti. Gjithashtu ka fyer të gjitha familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe familjet e të pagjeturve.
Po ashtu ka poshtëru e turpëru aktivitstët për pavarësi, të gjithë ish të burgorsurit politik dhe kundër të gjithë të masakruarve dhe të torturuarve në Kosovë.
Andaj që nesër i bëj thirrje Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, që ti hedhë nē mbeturina publikisht ato teste dhe të pezulloj bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës deri sa kjo e fundit të merr masa ndaj atyre që pranuan këto teste dhe të i shkarkoj nga pozita pranuesit dhe urdhëruesit të tyre.
Nëse nuk merren këto masa, atëherë bashkëpunimi mes veteranëve dhe Qeverisë Kurti është i ngrirë!
FTESË urgjente, po ashtu edhe për Kryeprokurorin e Shtetit, që të nisë menjëherë hetim gjithëpërfshirës dhe trajtimin hetimor të të gjithë akterëve të përfshirë në këtë skandal të turpshëm dhe të madh” (sic.), ka shkruar Haradinaj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti të premten ka konfirmuar se Serbia do t’i dhurojë Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë 1,000 teste për coronavirus.
Sipas tij Kosova do t’i sigurojë edhe 2,000 teste nga një marrëveshje e mëhershme.