2.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Lul Raka: Jemi mbyllur sot, sepse nuk duam që nesër mjekët të vendosin kush do të futet në respirator e kush jo

Mikrobiologu Lul Raka, ka thënë se bota është duke vazhduar të përballet me pandeminë e një virusi të padukshëm i cili ka mbyllur globin.

Raka përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky virus nuk njeh kufij as superfuqi, nuk njeh Kryetarë as Kryeministra, nuk njeh ligje as Kushtetutë.

“Mos harroni se vdekja nga kjo murtajë moderne tashmë ka trokitur në 9 shtëpi në Kosovë duke marrë jetë prindërish, gjyshërish e nënash. Askush nuk e din se cila do të jetë shtëpia e 10, 20 apo 30. Por, edhe në këtë kohë të vështirë, ajo që mposht çdo sfidë është shenjtëria e dashurisë së familjes, e cila është fuqizuar në këtë kohë pandemie. Ajo është 100 herë më e fuqishme se çdo virus. Kemi qenë dhe mbetemi bashkë edhe kur na keni duartrokitur nga ballkoni, edhe kur na keni sharë nga salloni”, ka shkruar Raka.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Bota po përballet me një pandemi të paparë nga një virus i padukshëm që ka mbyllur globin. Ende nuk kemi ilaç për shërim as vaksinë për parandalim. Prandaj, sot, 2.3 miliardë njerëz në botë janë mbyllur në shtëpi. Janë mbyllur, sepse ky virus nuk njeh kufij as superfuqi, nuk njeh Kryetarë as Kryeministra, nuk njeh ligje as Kushtetutë.

Jemi mbyllur sot edhe ne në Kosovë, sepse nuk duam që nesër mjeku juaj të vendos kush do të futet në respirator e kush do të vdesë në korridor.

Është vështirë të qëndrosh mbyllur mes 4 muresh të shtëpisë me fëmijë që duan bukë në sofër, me të moshuar, të sëmurë kronikë e persona me aftësi të kufizuara që kërkojnë kujdes.

Mbase ke humbur pasurinë, punën, të nesërmen. Tashmë i ke bërë llogaritë dhe ke nxjerrë një numër. Por, jeta jote e as e më të dashurve tuaj nuk matet me numër. Nuk ka çmim. Pasurinë mund ta kthesh, por jetën e më të dashurve tuaj – JO.

Mos harroni se vdekja nga kjo murtajë moderne tashmë ka trokitur në 9 shtëpi në Kosovë duke marrë jetë prindërish, gjyshërish e nënash. Askush nuk e din se cila do të jetë shtëpia e 10, 20 apo 30.

Por, edhe në këtë kohë të vështirë, ajo që mposht çdo sfidë është shenjtëria e dashurisë së familjes, e cila është fuqizuar në këtë kohë pandemie. Ajo është 100 herë më e fuqishme se çdo virus.
Kemi qenë dhe mbetemi bashkë edhe kur na keni duartrokitur nga ballkoni, edhe kur na keni sharë nga salloni.

Unë, bashkë me të gjithë kolegët e mi në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm! Në asnjë rrethanë e me asnjë çmim. Shëndeti juaj dhe i familjeve tuaja do të jetë ideali ynë deri në orët e fundit të këtij rrugëtimi të vështirë e të gjatë.

Tani më shumë se kurrë kemi nevojë të qëndrojmë bashkë!

Këto kufizime që kemi ndërmarrë ja vlejnë-sepse shpëtojnë jetë!

Kjo jetë e shpëtuar mund të jetë jeta jote ose familjarit tënd!

Urojmë dhe lutemi për Shëndet në Familjet Tuaja!

PO – DO TË FITOJMË! 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img