Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë të ditur se sot ka biseduar në telefon me kryetarin e shoqatës së Pensionistëve Invalidor të Punës, Hamdi Tashollin si dhe me kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazin, ku është informuar për gjendjen dhe nevojat aktuale të pensionistëve.
Veseli ka thënë se prej tyre ka mësuar se të moshuarit, janë duke u përballur me sfida të rënda dhe se ata ndihen të lënë anash nga institucionet shtetërore.
“Në këtë kohë pandemie, janë pikërisht të moshuarit tanë, ata që kanë më së shumti nevojë, jo vetëm për kujdesin familjar dhe shoqëror, por mbi të gjitha për kujdesin shtetëror. Ata janë më të kërcënuarit nga sëmundja e coronavirusit dhe vuajnë nga mungesa e barnave, lirisë së lëvizjes si dhe nga ngarkesa e tepërt psikologjike”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
I pari i PDK-së, ka thënë se në pakon emergjente të propozuar nga ta është parashikuar një fond i veçantë për moshën e tretë.
“Kjo është arsyeja pse në pakon emergjente për shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, kemi parashikuar një fond të veçantë humanitar që synon të mundësoj ndihmë të posaçme për moshën e tretë. Mes tjerash, është parashikuar edhe mbulimi i plotë i kostos së tyre të barnave gjatë kësaj periudhe. I sigurova përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë t’u gjendet pranë, duke shtyrë përpara deri në miratim pakon ekonomike që kemi propozuar”.