2.7 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

MPJD i reagon Rusisë, raportet Kosovë-Serbi mund të ndërtohen vetëm mbi parimin reciprocitetit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i është kundërpërgjigjur Rusisë, në lidhje me çështjen e reciprocitetit me Serbinë, për të cilën Ministria e Punëve të Jashtme ruse kishte lëshuar një deklaratë, mbrëmjen e së hënës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ia ka kujtuar Rusisë, se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran dhe marrëdhëniet me shtetin fqinjë do të ndërtohen vetëm mbi parimin e reciprocitetit si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërshton reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse mbi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e vendosjes së masave graduale të reciprocitetit në raportet ndërshtetërore me Serbinë. Republika e Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e vendosur për raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet. Në këtë kontekst, edhe marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi parimin reciprocitetit, si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore. Masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.

Në këtë deklaratë po ashtu theksohet se Kosova nuk ka zbatuar një gamë të gjerë pengesash, ashtu siç ka bërë Serbia ndaj Kosovës dhe se masat e marra kanë dëshmuar vullnetin e mirë të Kosovës për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë.

“Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës, duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës. Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve. Kosova ka dëshmuar vullnetin e saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq tani i mbetet Serbisë t’i heqë barrierat dhe ta ndalë agresionin diplomatik ndaj Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, përmes një deklarate lëshuar nga departamenti i Informacionit dhe Shtypit, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit që Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë në lidhje me tarifën 100 për qind.

Në këtë koment, thuhet se në Prishtinë po vazhdohet manipulimi me temën e tarifës e po ashtu, thuhet se Kosova po detyron Beogradin që të vendos emrin e Republikës së Kosovës në mallra, duke bërë kështu që indirekt, Serbia ta pranoj Kosovën si shtet.

Sipas këtij komenti, Kosova nuk e ka zbutur aspak qëndrimin edhe pse sipas tyre, kritika ka marrë edhe nga Uashingtoni, duke shtuar se kjo qëllimshëm po e vonon procesin e dialogut.

Ndër të tjera këtë koment u kritikua edhe reagimi i BE-së në lidhje me taksën, duke shtuar se “si një nga ndërmjetësuesit, BE-ja do të duhej të përgjigjej me një vlerësim të matur të situatës, pa favorizuar asnjërën nga palët.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img